LËVIZJA ANTIOSMANE E ANTIIMPERIALISTE


LËVIZJA ANTIOSMANE E ANTIIMPERIALISTE
✤ 1901-1904. Lëvizje popullore kundër zgjedhës ekonomike e politike osmane dhe depërtimit të shteteve imperialiste në Shqipëri. Në fillim të vitit 1901 u shtri në Prizren, Prishtinë, Shkodër, Guci, ku vepronin komitete të fshehta, ndërsa në vjeshtën e atij viti përfshiu vise të tjera shqiptare në katër vilajetet. Vatra të qëndresës antiosmane u bënë sidomos Shkodra, Prizreni, Lezha, Mirdita, Tepelena, Vlora, ku u zhvilluan gjatë viteve 1901-1902 përleshje të armatosura midis popullsisë shqiptare dhe ushtrive osmane. Ndërhyrjet e reja të Fuqive të Mëdha që më 21 shkurt 1902 i paraqitën Portës së Lartë projektin austro-rus të reformave, i cili i konsideronte vilajetet shqiptare të Kosovës dhe të Manastirit si vilajete maqedonase, u bënë shkak për shpërthimin në fund të 1902-it dhe në pranverën e 1903-it të kryengritjeve antiosmane dhe antiimperialiste në Gjakovë, Pejë, Podrimë e vise të tjera të Kosovës. Popullsia i parashtroi Hysen Hilmi pashës, inspektorit të përgjithshëm të vilajeteve të Selanikut, Manastirit e Kosovës, kërkesën për zbatimin e reformave të veçanta për katër vilajetet shqiptare, për njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare, për përdorimin e gjuhës shqipe në administratë e në shkolla, për emërimin e nëpunësve shqiptarë, për përdorimin e taksave për nevojat e vendit, për përparimin ekonomiko-kulturor të Shqipërisë, për lirimin e të burgosurve politikë dhe për t’u dhënë fund ndërhyrjeve të shteteve të huaja në Shqipëri etj.

Kur në mars të 1903-it mijëra shqiptarë të armatosur u grumbulluan në rrethet e Prizrenit, Mitrovicës, Gjakovës dhe Pejës, ushtritë osmane të nxitura nga konsulli rus në Mitrovicë, sulmuan kryengritësit shqiptarë në hyrje të këtij qyteti, duke vrarë dhjetëra syresh. Në prill 1903 Stambolli hodhi në Kosovë 20 batalione të reja ushtarake të komanduara nga gjenerali Shemsi pasha. Udhëheqës të kryengritjes u arrestuan dhe u internuan në Anadoll e Mosul.

Projekti austro-rus i reformave të Myreshtegut i 22 tetorit 1903 që parashikonte vendosjen e kontrollit të fuqive imperialiste mbi administratën civile dlie ushtarake të vilajeteve shqiptare të I-Cosovës e të Manastirit, i dha një shtytje të re lëvizjes kryengritëse në Shqipëri më 1904. Nën presionin e saj, Vjena, dhe pas -saj shtetet e tjera imperialiste, u detyruan të përjashtonin nga zona e «reformave maqedonase», përveç vilajetit të Shkodrës dhe të Janinës, edhe tokat shqiptare të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, që ishte një pranim, ndonëse jo i drejtpërdrejtë nga Fuqitë e Mëdha i karakterit shqiptar të këtyre trojeve.

(K.Pr.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lëvizja Antiosmane E Antiimperialiste


[cite]