LABËRIA
✤ Krahinë e madhe etnografike në Shqipërinë JP. Emërtimi lidhet me sa duket me emrin e hershëm etnik të shqiptarëve: «arbër». Sipas traditës popullore, L. shtrihet brenda tri urave: urës së Drashovicës, të Tepelenës dhe të Kalasës. Si kufi V i saj merret krahu i majtë i l.Vjosa. Është treva e kaonëve të periudhës ilire, ndërsa në mesjetë e fiseve arbëreshe të Grisejve, Kirilisejve, Plesejve (Plesati i sotëm), Korvesejve (Kurveleshi i sotëm) etj.
Popullsia labe u bëri qëndresë të pareshtur pushtuesve osmanë dhe për një kohë të gjatë pjesë të tëra mbetën të lira dhe autoritetet osmane u detyruan të njohin ligjet e kanunet vendase me venome të veçanta. Traditat luftarake atdhetare të popullsisë vijuan me kryengritjet deri në Shpalljen e Pavarësisë, u shprehën në Luftën e Vlorës më 1920 dhe gjetën një shprehje të re më të lartë në bashkimin rreth PKSH gjatë Luftës ANÇ në betejat kundër pushtuesve nazifashistë e bashkëpunëtorëve të tyre. Baza ekonomike e kësaj popullsie ishte në të kaluarën blegtoria. Kullotat verore i kishin të përbashkëta dhe i shfrytëzonin fshatçe, ndërsa dimrit i shtegtonin në fushë të Myzeqesë e të Delvinës.
Nga ana gjuhësore të folmet përbëjnë toskërishten JP. Organizimi shoqëror ndërtohej në bazë të kanunit tradicional që quhej i Papa Zhulit, i cili më vonë mori emrin Shartet e Idriz Sulit dhe vepronte në Labërinë e J. Në përgjithësi vendbanimet ishin të grumbulluara sipas lagjeve, larg njëra-tjetrës, me banorë kryesisht nga njerëz të një fisi. Banesat e vjetra ishin me një kullë në qendër dhe anekse të ulëta përreth. Në fillim të shek.XX zotëroi tipi i shtëpisë me një korridor në mes dhe dy dhoma anash. Enët e orenditë e shtëpisë punoheshin brenda ekonomisë shtëpiake. Janë të përmendur qilimat dhe veçanërisht sixhadetë e leshta, të punuara me mjeshtëri artistike prej grave labe. Veshja e burrit ishin poturet e leshta që zëvendësuan fustanellën, me mëngore sipër dhe qylaf në kokë; në kohë dimri përdorej bërruca e zezë. Në veshjen e grave, me gjithë ndikimin oriental dhe futjen në përdorim të çitjaneve, u ruajtën linja, jeleku dhe sharku tradicional. Nga veglat muzikore më të përhapura ishin fyelli, cylja dyjare, kurse në këngë mbizotëronte kënga polifonike. Ndarjet më të vogla etnografike, me veçoritë e tyre ishin Kurveleshi (shih), Rrëza e Tepelenës, Kardhiqi, Rëzoma, Bregu i Detit, Gryka e Dukatit etj. Pas Çlirimit e gjithë krahina ka ndryshuar rrënjësisht. Krahas blegtorisë^janë zhvilluar bujqësia, pemëtaria e bletaria, ndërsa qytetet janë kthyer në qendra industriale. Mënyra e jetesës ka evoluar bashkë me procesin e ndërtimit të shoqërisë socialiste.
(Rr.Z.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Labëria