LAGUNAT
✤ Pellgje natyrore të mëdha e të cekëta me ujë të kripur që ndodhen në një zonë bregdetare dhe lidhen me detin me një ose më shumë kanale. L. më kryesore të Shqipërisë janë: L. e Karavastasë (shih), L. e Nartës (shih), L. e Patokut, L. e Vilunit etj., që kanë sipërfaqe të përgjithshme ujore rreth 130 km2. Regjimi hidrologjik i L. varet nga dendësia e ujëkëmbimit me detin, si rrjedhojë e dukurive batieore. Gjatë baticave niveli i ujërave të detit ngrihet dhe nëpërmjet kanaleve futet në L. një sasi e ujit të kripur. E kundërta ndodh gjatë zbaticave, kur niveli në det ulet dhe për rrjedhim nga L. shkarkohen sasi të caktuara uji. Kanalet e komunikimit kanë pamjen e lumenjve të vërtetë, në të cilat drejtimi i rrjedhjes së ujërave ndryshon gjatë baticave e zbaticave. Kështu futen në L. peshq nga deti. Ujërat e L. shfrytëzohen për peshkim dhe për nxjerrjen e kripës.

(N.P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lagunat


[cite]