LAJBNIC GOTFRID
✤ (Gotfried Wilhelm Leibnitz, 1646-1716). Filozof e shkencëtar gjerman. Shfaqi interes edhe për gjuhën shqipe. Në pesë letra shkruar nga 24.6.1704 deri më 15.3.1715 mikut të tij M.V. La Krozë (La Crose) kryebibliotekar në Berlin, një nga gjuhëtarët më të ditur të kohës, shtroi problemet e prejardhjes se gjuhës shqipe, të përkimeve, takimeve dhe marrëdhënieve të saj me gjuhë të tjera indoevropiane, dhe të nevojës së dallimit të asaj që shqipja e ka të vetën nga ajo që e ka huazim. Vuri në dukje përkime e analogji të fjalëve shqipe me fjalë të gjuhëve gjermanike, latine etj. Tërhoqi vëmendjen te mëvetësia dhe individualiteti i gjuhës shqipe, që gjendet në malet e Shqipërisë dhe të Epirit si gjuhë e veçantë, e dallueshme nga sllavishtja, hungarishtja, greqishtja, turqishtja. U interesua për të pasur Fjalorin latinisht-shqip të Fr. Bardhit dhe një vepër të P.Budit që kishte arritur t’i shtinte në dorë La Krozi.
(M.D.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Lajbnic Gotfrid
[cite]