LETËRSIA E ARBËRESHËVE TË ITALISË


LETËRSIA E ARBËRESHËVE TË ITALISË
✤ Lindi në shek.XVI dhe u formua si shprehje e përpjekjeve të arbëreshëve për të ruajtur individualitetin e tyre si kombësi përmes lëvrimit të gjuhës dhe të krijimit të një letërsie artistike. Veprat e para u shfaqën shumë shpejt, pasi arbëreshët u vendosën në Itali dhe nisën të lëvrojnë gjuhën shqipe, duke vazhduar, pas gjasash, një traditë të sjellë nga dheu i të parëve. Në fillim letërsia arbëreshe pati përgjithësisht karakter fetar, njihet si vepra e parë katekizmi «E mbsuamë e krishterë» (1592) e L.Matrëngës. Ndër autorët e tjerë arbëreshë të kësaj periudhe më i shquari ishte J.Variboba (shih). Ata shkruan vepra me karakter didaskalik ose artistik, po të frymëzuara nga historia fetare. Duke nisur nga çereku i parë i shek.XIX letërsia arbëreshe hyri në një etapë të re zhvillimi ajo nisi të frymëzohej prej ideve përparimtare të kohës. Në veprat e tyre shkrimtarët arbëreshë shprehën ndjenjat kombëtare të arbëreshëve dhe aspiratat e tyre demokratike në shoqërinë ku jetonin. Letërsia e re u zhvillua në hullinë romantike. Evokimi i së kaluarës së vendit dhe lartësimi i bëmave heroike të të parëve u vu në qendër të krijimtarisë së poetëve arbëreshë, e cila nga ana tjetër u dallua për mbështetjen në krijimtarinë gojore të popullit. Një varg veprash u shkruan me motive të marra nga këngët dhe legjendat popullore. Në shumë raste autorët arbëreshë gërshetuan në veprimtarinë e tyre kulturore punën letrare me interesimin për folklorin, të eilin e mblodhën me dashuri dhe e botuan. Përfaqësuesi më i madh i saj Jeronim De Rada (shih) luajti një rol të veçantë në afirmimin e romantizmit në letërsinë shqiptare. Në poemat e tij De Rada pasqyroi epokën zulmëmadhe të Skënderbeut («Serafina» Topia» 1839-1843, «Skënderbeu i pafan», 1873-1579 etj.). Në frymën romantike janë shkruar edhe «Këngët e Milosaos» (1836), me të cilën poeti nisi rrugën e vet në letërsi. Nga historia e betejave heroike të shqiptarëve kundër osmanëve e morën lëndën G.Dara i Riu (shih) te «Kënga e sprasme e Balës», B.Bilota, etj. Krahas kësaj në letërsinë arbëreshe u botuan edhe vepra që u bënë jehonë ngjarjeve të kohës, si «Këngëtorja shqipe», «Vallja e haresë së madhe» të F.A.Santorit, vjershat dhe poemat e Z.Skiroit etj.

Varfëria e madhe, mungesa e të drejtave më elementare qytetare, arbitrariteti i sundimtarëve përftuan në letërsinë arbëreshe pakënaqësinë e ndonjëherë, kritikën ndaj marrëdhënieve shoqërore të kohës. Këto motive gjetën shprehje në krijimtarinë e njërit nga poetët më të talentuar arbëreshë Zef Serembe (shih); në poezitë e tij të ndjera u shpreh zhgënjimi i njeriut të vogël e të pambrojtur në jetë («Poezi italisht dhe këngë origjinale të përkthyera nga shqipja», 1883). Këtij drejtimi i përket edhe V.Stratigoi, që u frymëzua nga ide socialiste, pjesërisht F.AHantori (drama «Emira») etj. Për shkak të rrethanave në të cilat u zhvillua, L. e A. të I. pati shumë pika takimi me romantizmin evropian, por, e lindur në truallin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ajo u shqua për veçori origjinale të spikatura.

Në dhjetëvjeçarët e parë të shek.XX, pasi Shqipëria u mëkëmb si shtet i pavarur, L. e A. të I. pësoi një rënie të ndjeshme, që u thellua për shkak të politikës reaksionare të regjimit fashist në Itali. Në këtë periudhë ajo u përfaqësua nga poetë, të cilët vijuan kryesisht traditat e letërsisë së mëparshme.

Pas Luftës II Botërore krijimtaria letrare e arbëreshëve nisi të përjetojë një rilindje të re, që u duk me gjallëri në vitet 50 dhe sidomos në vitet 60-70, kur u ripërtërinë përpjekjet e arbëreshëve për të afirmuar identitetin e tyre kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës dhe të studimeve historike, etnografike etj., mbledhjes eë folklorit, botimit të një vargu revistash kulturore, letrare dhe shkencore etj. L. e A. të I. zhvillohet në disa vatra: në fshatrat arbëreshe të Kozencës, Katanxaros dhe në Sicili. Ajo përfaqësohet prej Dushko Vetmos (Francesko Solano, lindur 1914), Vorea Ujkos (Domeniko Bellizzi, lindur 1918), Karmel Kandrevës (1931-1982), etj. Tema kryesore e krijimtarisë së këtyre autorëve është jeta e sotme arbëreshe; ata u bëjnë jehonë brengave dhe shqetësimeve të arbëreshëve, jetës dhe fatit të tyre ë vështirë në dhe ë huaj. Heroin lirik të një varg vjershave e shquan edhe krenaria për vendin e të parëve e dashuria për gjuhën dhe zakonet stërgjyshore. Në poezinë e sotme arbëreshe një vend përherë e më të madh po zë tema e Shqipërisë së re, që po trajtohet në formën e përshtypjeve nga realiteti socialist shqiptar. Në këtë krijimtari po forcohet prirja për të përdorur gjuhën e sotme letrare shqipe.

(A.Xh.—N.J.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Letërsia E Arbëreshëve Të Italisë


[cite]