LIQENET
✤ Pellgje të mëdha natyrore ose artificiale në sipërfaqen e Tokës, të mbushura me ujë, zakonisht të ëmbël. Në pellgun ujëmbledhës të rrjetit hidrografik të Shqipërisë, ndodhen 247 L. të tipave dhe përmasave të ndryshme, me sipërfaqe të përgjithshme ujore 1210 km2 (461 knr brenda kufijve shtetërorë të RPSSH) dhe vëllim të përgjithshëm të ujërave afro 60 miliardë m3. L. gjenden në lartësi të ndryshme, nga niveli i detit (L. i Butrintit) e deri në lartësinë më të madhe 2360 m (L. akullnajor i Gramozit). Pjesa më e madhe e L. të Shqipërisë (137 L. ose 57%) gjenden në lartësi 1500-1800 m, ndërsa deri në 200 m lartësi ndodhen 101 L. (40%), disa prej të cilëve si ai i Butrintit, i Shkodrës dhe lagunat bregdetare janë kriptodepresione, fundi i tyre gjendet nën nivelin e detit. Në lartësitë 200-1500 m ka pak L., por shtrihet sistemi i rëndësishëm liqenor: Prespa e Vogël — Prespa e Madhe — Ohri. L. kanë prejardhje të ndryshme: tektonike, akullnajore, karstike etj. L. tektonike, sado të pakta (4) janë më të mëdhatë dhe më të rëndësishmet e territorit hidrografik të Shqipërisë dhe përfshijnë L. e Shkodrës, L. e Ohrit, L. e Prespës si dhe L. e Butrintit. L. akullnajore, që janë formuar gjatë akullimeve kuaternare, janë më të shumta (134), formojnë grupe të veçanta me 10 deri 22 L. dhe shtrihen në lartësitë 1600-1800 m. Ndër grupet kryesore përmendsn L. e Dobërdolit (10), të malit të Balgjajt (22), të Kurorës së Lurës (12, të Malit të Lopës (13), të Valamarës (13),, të Malit të Shebenikut (10). Në përgjithësi L. akullnajore kanë përmasa të vogla dhe përvijime të ngjashme. L. karstike janë formuar kryesisht në shkëmbinjtë karbonatikë. Në Shqipëri ka 94 L. të tilla, ndër të cilat përmenden L. e Dumresë (shih) që përbëjnë edhe grupin më të madh të L. të vendit (85). L. kanë edhe bilanc të ndryshëm ujor e në varësi nga ky ndahen në L. pa rrjedhje, L. me rrjedhje dhe liqene artificiale. L. pa rrjedhje janë ato karstike si dhe një pjesë e atyreve akullnajore, në të cilat ujëkëmbimi është i balancuar. L. shkarkuese janë ato me bilanc ujor pozitiv, që kanë emisar me rrjedhje sipërfaqësore ose nëntokësore, siç janë L. kryesore të territorit hidrografik të Shqipërisë: L. i Shkodrës, L. i Ohrit, me rrjedhje sipërfaqësore, si dhe L. i Prespës me rrjedhje nëntokësore. L. artificiale janë ujëmbledhësit e mëdhenj, që janë ndërtuar pas Çlirimit, kryesisht për qëllime hidroenergjetike dhe. për ujitjen e tokave. Ndër ta përmenden L. i Fierzës L. i Ulzës, L. i Vaut të Dejës, si dhe L. artificiale ose ujëmbledhësit e Murrizit, Gjançit etj. L. natyrale dhe artificiale të Shqipërisë shfrytëzohen për qëllime hidroenergjetike, për ujitjen e tokave bujqësore, për furnizimin me ujë të industrisë, për peshkim etj. Ato janë gjithashtu edhe qendra të rëndësishme turistike e klimaterike.

(N. P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Liqenet


[cite]