Liqeni i Alegës
Kjo ndodhi më 1771, afër Belunos. Kishin rënë shira të forta dhe uji kishte depërtuar në shtresat argjilore të Monte Spicit, duke shkaktuar në këtë mënyrë rrëzimin e një mase të madhe shkëmbi që shkatërroi gjatë rënies të gjitha fshatrat që gjendeshin në rrugën e tij. Kur arriti në fundin e luginës, masa jashtëzakonisht e madhe e rrëzuar zuri krejtësisht luginën dhe pengoi lumin Kordevole, që rridhte aty. Kështu ndodhi që nga disa rrëke lindi liqeni i bukur i qetë i Alegës, por sipër tij mund të shihen akoma gjurmët e zgavrës që hapi ajo shembje e madhe tre shekuj më parë në malin e Spicit. Një nga shembjet më të mëdha që mbahet mend, është ajo që ndodhi më 1903 në Kanada, afër qendrës së vogël të Frankut. Sipër Frankut, që është një qytet i vogël minierash, ngrihet mali i Tërtllit, pjesa e sipërme e të cilit është e formuar nga shtresa gëlqerore, mjaft të pjerrëta në drejtim të qytetit. Shtresat kanë shumë ndarje dhe hapësirat ndërmjet shtresave janë zgjeruar nga pykëzat e akullit dhe nga gërryerja e ujit të nëndheshëm.
Një mëngjes të vitit 1903 minatorët bënë një shpërthim në galeritë e minierës së qymyrit rrëzë malit. Për një çast toka u drodh, por jo aq sa për tu çarë. Sipër, në shpatin e pjerrët të malit po bëhej gati të rrëshqiste një bllok gëlqeror me sipërfaqe një kilometër katror dhe me trashësi disa dhjetëra metra. Para se njerëzit të arrinin të kuptonin atë që po ndodhte, guri gjigant u shemb poshtë.
Blloku shkatërroi një pjesë të qytetit dhe u ndal pranë murit përballë. Në qytetin e Frankut pati shtatëdhjetë të vrarë e të plagosur. Minatorët që ndodheshin nën tokë shpëtuan shëndoshë e mirë. Sipër, në Alpe, ku malet janë shumë të larta, për vetë natyrën e shkëmbinjve plot të çara dhe për shkak të veprimit të fortë të akullit dimëror, shembjet e këtij lloji janë të zakonshme. Të famshme janë shembjet e mëdha në malet Elm të Zvicrës më 1881, në Ëctal të Tirolit dhe në Flims mbi Rin. Të zakonshme janë gjithashtu edhe ortekët e borës. Në pranverë, kur shkrin bora, akulli dhe shkëmbi nën shtresën e borës bëhen rrëshqitës. Atëherë edhe një fllad i lehtë ere ose edhe një tingull zëri mund ta shkëputë borën dhe të shkaktojë një ortek.