LIRIA KOMBËTARE


LIRIA KOMBËTARE
✤ (1925). Gazetë e përdyjavshme, organ i organizatës demokratike shqiptare në mërgim «Komiteti i Çlirimit Nacional» (KÇN). Numri i parë doli më 29.7.1925 në Gjenevë (Zvicër) dhe vijoi me ndërprerje deri më 1935. E drejtonte patrioti demokrat Omer Nishani. U bë tribunë e emigracionit revolucionar në luftën kundër regjimit zogist, dhe imperializmit fashist. Me shkrimet e tyre në të shprehën ide nga më të përparuarat për kohën ideologë të KÇN si Fan Noli, Halim Xheloja, Omer Nishani, Riza Cerova, Lano Borshi etj. Gazeta pasqyroi me hollësi gjendjen e rëndë e të mjeruar të popullit shqiptar, demaskoi ashpër shtypjen ekonomike shoqërore e politike nga klasat sunduese dhe politikën skllavëruese të Italisë fashiste, analizoi në frymën e luftës së klasave qëndresën e fshatarësisë e të klasës punëtore dhe shtroi detyrat e perspektivat e shndërrimit të rendit çifligaro-borgjez në një rend demokratik të përparuar. L. K. parashikoi se politika grabitqare e imperializmit italian në Shqipëri e ndihmuar drejtpërsëdrejti nga regjimi zogist ishte liapi i parë drejt agresionit të armatosur kundër popullit shqiptar. Shpëtimin e popullit shqiptar L. K. e shihte në fitoren e revolucionit popullor të udhëhequr nga Partia Komuniste, themelimin e së cilës ajo e konsideronte një detyrë imediate. L. K. kultivoi edhe frymën e internacionalizmit proletar. Ajo gëzonte simpati e popullaritet në emigracionin demokratik shqiptar, si dhe në lëvizjen revolueionare në Shqipëri. Pas mbylljes së saj, propagandën revolucionare në mërgim e çuan më tej gazetat «Populli» e më pas «Sazani», që u botuan nga komunistët shqiptarë të Francës.

(V. K.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Liria Kombëtare


[cite]