LUFTËRAT ILIRO-ROMAKE


LUFTËRAT ILIRO-ROMAKE
✤ (shek. III-II p.e.r.). Ndeshja e ilirëve me pushtuesit romakë për mbrojtjen e vendit. Njihen tri luftëra të tilla. Lufta I (229 p. e. r.). Forcat romake, të përbëra prej 20 mijë këmbësorësh, 2 mijë kalorësish dhe 200 anijesh, goditjen kryesore e dhanë kundër Korkyrës, Dyrrahut dhe Apolonisë. Si pasojë e tradhtisë së disa pjesëtarëve të klasës sunduese vendëse, qëndresa ilire u thye dhe romakët pushtuan qytetet bregdetare dhe disa vise në V të vendit. Lufta II (219 p.e.r.) Forcat romake, të përbëra nga një armatë konsullore, goditjen kryesore e dhanë në J, kundër qytetit Dimal (kalaja e Krotinës, Berat) dhe në V kundër Farit (Dalmati). Romakët i pushtuan, duke pasur epërsi të madhe në forca dhe mjete luftarake. Lufta III (168 p.e.r.). Forcat romake ishin rreth 30.000 veta, ndërsa ushtria ilire kishte 15.000 veta nën komandën e mbretit Gent. Beteja e parë u zhvillua në qytetin Basania në J’ të Shkodrës. Armiku, dy herë më i madh në numër, e detyroi ushtrinë ilire të tërhiqëj drejt Shkodrës, ku u zhvillua jashtë qytetit beteja e fundit. Gënti (shih) u thye edhe për shkak të organizimit jo të mirë të mbrojtjes ilire. Në tërësi qëndresa ilire u karakterizua nga veprime mbrojtëse, kryesisht në qytetet e fortifikuara dhe kështjellat rreth tyre. Në kushtet e epërsisë së armikut, tipari karakteristik i veprimeve luftarake ilire ishin sulmet e pjesshme, në grupe të vogla, duke ngritur kurthe dhe duke shfrytëzuar mjetet rrethanore.

(R. T.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Luftërat Iliro-Romake


[cite]