LUFTA E KOPLIKUT
✤ (1920). Luftë kundër ndërhyrjes ushtarake jugosllave në krahinën e Shkodrës. Kjo ndërhyrje synonte të shkëpuste një pjesë tjetër nga trualli shqiptar dhe ta detyronte qeverinë shqiptare të ndiqte një politikë projugosllave. Nga 26 korriku e deri më 21 gusht, forcat jugosllave pushtuan disa zona në Malësitë e Slikodrës dhe arritën në Koplik. Nga kundërgoditja e forcave shqiptare agresorët u detyruan të tërhiqen në kufirin e 1913-ës. Më 21 gusht forcat jugosllave shpërthyen sulm të ri dhe pushtuan Kelmendin, Kastratin, Shkrelin e Koplikun (Malësitë e Shkodrës). Për të përballuar agresionin jugosllav u rreshtuan në front mbi 3000 luftëtarë shqiptarë të ardhur nga Shkodra dhe rrethe të tjera. Një fuqi vullnetare prej 400 vetash qëndronte në breg të Bunës në pritje të një sulmi jugosllav në këtë drejtim. Përballë qëndresës së vendosur të forcave shqiptare dhe e izoluar në arenën ndërkombëtare, qeveria jugosllave u detyrua të hiqte trupat e saj nga Malësia e Shkodrës e të zbrazte Kastratin më 14.2.1921 duke lënë pas si dëshmi të mizorive të kryera, fshatra të djegura.
(Xh. R.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Lufta E Koplikut
[cite]