LUFTA E KONISPOLIT
✤ (5.8.-28.9.1943). Luftimi i parë me pushtuesit gjermanë në kufirin shtetëror dhe më i madhi për nga kohëzgjatja. Është i vetmi rast ku nazistët përdorën desantë detarë kundër Ushtrisë NÇ. Komanda gjermane për pushtimin e Konispolit hodhi në luftim rreth 3000 forca gjermano-balliste dhe përdori mësymje të shkallëzuar, me forca nga kompani këmbësorie deri në regjiment të përforcuar. Përballë tyre luftonin B P «Çamëria» (shih) dhe forcat territoriale e vullnetare të krahinës, gjithsej rreth 1000 veta. Mbrojtja u organizua me drejtime dhe u zhvillua me sulme e kundërsulme duke shfrytëzuar punimet fortifikuese. Për drejtimin e luftimeve u ngrit një shtab operativ. Luftimet për mbrojtjen e Konispolit vazhduan pothuaj për dy muaj rresht. Pas shumë luftimesh të ashpra, me gjithë epërsinë që kishte, armiku u thye në të gjithë frontin dhe qyteti i Konispolit që ishte pushtuar prej tij më 23.8 u çlirua përsëri. Prej 13-28.9 armiku vazhdoi të suhnonte me epërsi për të rimarrë Konispolin. Më 28.9. futi në luftim R. 99 Malor të përforcuar me një batalion të blinduar, një batalion desant detar, tre grupe artilerie dhe të mbështetur nga artileria e anijeve që kryen desantimin dhe nga aviacioni. Batalioni «Çamëria» dhe forcat territoriale e vullnetare e thyen sulmin e armikut në të gjithë frontin dhe i shkaktuan atij humbje të ndjeshme. Një kompani e motorizuar, që sulmoi nëpër rrugën automobilistike, u asgjësua pothuajse plotësisht. Por më pas armiku, duke shfrytëzuar epërsinë e madhe në njerëz e material dhe desantin detar, mundi t’i
ndante forcat partizane në dy pjesë. Në këto kushte, shtabi operativ dha urdhër për tërheqje për t’iu shmangur krahëmarrjes dhe rrethimit nga ana e armikut. Lufta e Konispolit forcoi edhe më shumë lidhjet e Partisë me masat; ngriti në një shkallë më të lartë moralin dhe aftësinë luftarake të partizanëve e të forcave vullnetare; pengoi për 2 muaj pushtimin e brezit bregdetar Konispol-Himarë, nga ana e nazistëve gjermanë; paralizoi veprimtarinë e Ballit Kombëtar dhe krijoi kushte për ngritjen e pushtetit të këshillave NC në Sarandë, Delvinë dhe Himarë.
(A.Ko.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Lufta E Konispolit
[cite]