LULI DEDË GJO


LULI DEDË GJO
✤ (1840-1915). Udhëheqës i shquar i Malësisë së Mbishkodrës në luftën për çlirimin kombëtar dhe për ruajtjen e tërësisë territoriale të atdheut, Hero i Popullit. Mori pjesë në qëndresën e organizuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për mbrojtjen e Hotit e të Grudës që qarqet shoviniste malazeze kërkonin t’i aneksonin në bazë të vendimeve të Kongresit të Berlinit. Në vitet e fundit të shek. XIX D. Gj. L. u aktivizua përsëri në lëvizjen për autonominë e Shqipërisë, mori pjesë në mbledhjen e përfaqësuesve të

popullsisë

së Shkodrës që vendosi bashkimin me Lidhjen e Pejës. Aftësitë e tij si organizator, si prijës luftarak dhe si udhëheqës popullor, u shfaqën sidomos gjatë Kryengritjes antiosmane të v. 1911 (shih). Nën udhëheqjen e tij malësorët e Hotit, të Grudës e të Kelmendit korrën suksese të rëndësishme kundër forcave osmane dhe e detyruan qeverinë xhonturke të hynte në bisedime me ta. Në bashkëpunim me qarqet patriotike, ata parashtruan në Memorandumin e Greçës kërkesën për autonominë territoriale-administrative të mbarë Shqipërisë. D. Gj. L. i qëndroi besnik deri në fund luftës për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. Edhe pas Shpalljes së Pavarësisë, për shkak të gjendjes së krijuar nga luftërat ballkanike e vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, D. GJ. L. iu desh, megjithëse në moshë të thyer, të vazhdonte luftën për mbrojtjen e vendit dhe bashkimin kombëtar. Më 24 shtator 1915 forcat pushtuese serbo-malazeze, në bashkëpunim të ngushtë me reaksionin bajraktaro-çifligar e klerikal vendas, e shtinë në dorë pabesisht dhe e vranë në Sheshëz afër Oroshit.

(G. Sh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Luli Dedë Gjo


[cite]