Lumenjtë grabitqarë

Nganjëherë, për shkak të pjerrësisë së theksuar dhe ujërave që merr dora-dorës, masa e ujit, duke zbritur në luginë, e shton fuqinë e saj gërryese. Në këtë mënyrë lugina fillon e gërryhet më thellë në pjesët e ulëta se në ato të lartat. Kemi të bëjmë në këtë rast me dukurinë e gërryerjes regresive. Si pasojë e kësaj gërryerjeje lumi mund të zgjerohet e të shtrihet në pellgun e një lumi tjetër.

Pra, mund të ndodhë që erozioni, pasi arrin deri në kurrizin malor që ndan ujërat e dy lumenjve, të vazhdojë procesin e tij në pellgun matanë kreshtës, kështu që lugina e gërryer nga njëri lumë takohet me luginën e gërryer nga lumi tjetër. Fillon atëherë një garë ndërmjet lumenjve për t’u furnizuar me sa më shumë ujë. Lumi që del fitues — lumi grabitqar — është ai që ka një shtrat mjaft të madh dhe një pjerrësi të theksuar, që i japin mundësi të mbartë më shumë ujë dhe ta gërryejë më shumë shtratin. Lugina tjetër mbetet me një fije ujë, ose pa ujë fare. Disa herë lumi ndërton penda natyrore përgjatë brigjeve të tij dhe rrjedhjet e ujërave fqinje nuk arrijnë të fitojnë mbi të. Atëherë ata vazhdojnë të rrjedhin paralelisht me njëri-tjetrin derisa të bëhet bashkimi i tyre. Në zonat ku sistemet lumore kanë punuar për miliona vjet pa pësuar ndryshime serioze nga lëvizjet e kores së Tokës, një vrojtim i vëmendshëm mund të nxjerrë në pah historinë e bëmave të ujërave që rrjedhin prej shekujsh.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]