MËLÇIA
Mëlçia ndodhet në pjesën e sipërme të barkut, e zhvendosur më shumë në anën e djathtë. Kjo është gjëndra më e madhe e trupit të njeriut dhe shkencëtarët e kanë cilësuar ‘një uzinë e përsosur kimike’. Mëlçia kryen shumë funksione të rëndësishme, për të cilat do të flasim në një zë tjetër. Por në mëlçi prodhohet edhe lëngu tëmthor (bila), që merr pjesë në tretjen e ushqimeve. Lëngu tëmthor që prodhohet në mëlçinë e zezë, grumbullohet në një qeskë të posaçme që quhet fshikëza e tëmthit dhe prej këtej, nëpërmjet një kanali, derdhet në duoden.
Lëngu tëmthor përmban disa lëndë që marrin pjesë në tretjen e në përpunimin kimik të ushqimeve. Gjithashtu, kur derdhet në duoden, ai ka aftësinë që të rritë veprimtarinë e lëngut pankreatik. Përveç këtyre, lëngu tëmthor përmban edhe disa pigmente ngjyruese që i japin ngjyrën e verdhë ose edhe jeshile. Kur dëmtohet kanali që derdh lëngun nga fshikëza në duoden, shfaqet ajo sëmundje që njihet me emrin verdhëza. Në këtë rast lëngu tëmthor shpërndahet në gjithë organizmin e njeriut, duke e dëmtuar atë (sepse është helm), dhe duke i dhënë edhe lëkurës sonë një ngjyrë në të verdhë. Kjo ngjyrë është një shenjë që e dallon njeriun e prekur nga verdhëza.