PLEURA

Pleura është një cipë e hollë që vesh mushkëritë dhe pjesën e brendshme të kafazit të kraharorit. Ajo është e formuar prej dy fletësh: njëra fletë vesh sipërfaqen e jashtme të mushkërive, kurse fleta tjetër vesh anën e brendshme të kafazit të kraharorit.

Dy fletët e pleurës krijojnë ndërmjet tyre një hapësirë që .quhet kaviteti pleural. Kjo hapësirë krijon mundësinë që mushkëritë të funksionojnë në rregull, të mos fërkohen pas muskujve e brinjëve, të fryhen dhe të shfryhen në mënyrë normale. Si pasojë e ndonjë ftohjeje të fortë, ndodh që ndonjë pjesë e hapësirës pleurale të mbushet me ujë. Kjo është një sëmundje e rëndë që njihet me emrin pleurit me ujë. Në këtë rast njeriu i sëmurë ndjen pengesë në frymëmarrje, ndjen dhimbje dhe shpime në zonën që ka grumbulluar ujë. Kjo sëmundje kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të mjekut, mjekime e kujdes të posaçëm.

Trupi — Ynë

[cite]