GJENDRA TIROIDE
Gjëndra tiroide ndodhet në qafë, përpara laringut, në të dyja anët e mollës së Adamit: Kjo gjëndër prodhon një hormon që quhet tiroksinë. Në përbërjen e tiroksinës merr pjesë edhe jodi. Gjatë 24 orëve gjëndra tiroide prodhon 0,3 miligramë tiroksinë (1 miligram — 1 e mijta e gramit), pra shumë-shumë pak. Megjithatë edhe kjo sasi e vogël tiroksine arrin të kontrollojë e të rregullojë metabolizmin e qelizave. kryesisht zbërthimin e proteinave. Tiroksina kontrollon edhe rritjen dhe zhvillimin e organizmit. Kur gjëndra tiroide nuk funksionon në rregull, shtohet ose pakësohet prodhimi i tiroksinës. Kur shtohet prodhimi i tiroksinës, shfaqet një sëmundje që quhet sëmundja e Bazedovit. Njerëzit që vuajnë nga kjo sëmundje kanë djersitje e dridhje të duarve, rrahje të shpeshta të zemrës, dobësi të theksuar etj., shenja këto që tregojnë çrregullime të sistemit qendror, nervor. Ndërsa kur pakësohet tiroksina, shfaqen dy sëmundje: mikseodema dhe kretinizmi. Shenjat e mikseodemës janë: çrregullime psikike, rënie e flokëve, tharje e lëkurës etj.; ndërsa të kretinizmit: ndalim i rritjes, prapambetje mendore, shpërpjesëtime në zhvillimin e pjesëve të ndryshme të trupit (kokë e madhe dhe duar të vogla) etj.
Pra, siç e shikoni, funksionimi jo i rregullt i kësaj gjëndre shoqërohet me sëmundje shumë të rënda.