MAGNETOMETRIA
✤ Degë e gjeofizikës, që studion përhapjen në hapësirë dhe në kohë të fushës magnetike të Tokës, duke përcaktuar madhësinë e vektorit të plotë të intensitetit të kësaj fushe dhe të përbërësave horizontalë dhe vertikalë. Në praktikë përcaktohet këndi që formon vektori i plotë me rrafshin horizontal ose inklinacioni magnetik, si dhe këndi që formon përbërësi horizontal me drejtimin gjeografik ose deklinacioni magnetik. Në Tiranë vektori i plotë i intensitetit ,të fushës magnetike më 1984 ishte T = 0,45766 Ersted dhe deklinacioni magnetik D = 0°47’. Disa minerale si magnetiti e pirrotina dhe disa shkëmbinj, si disa Uoje serpentinitesh kanë veti të larta magnetike dhe shkaktojnë turbullime të fushës magnetike të Tokës, të cilat quhen anomali magnetike. Studimi i shpërndarjes së këtyre anomalive dhe përcaktimi i karakteristikave të tyre ndihmon për kërkimin e trupave të mineraleve magnetike dhe për hartografimin e kontakteve midis shkëmbinjve. Në vendin tonë M. përdoret për të kërkuar mineralet e magnetitit dhe titano-magnetitit, të hekurit, të bakrit që përmbajnë pirrotinë, të kromit, të manganit, të shkrifërimeve të mineraleve të rënda, të asbestit etj. Ajo përdoret, krahas gravimetrisë dhe metodave të tjera, për kërkimet gjeologjike parashikuese të disa mineraleve të dobishme sidomos të mineraleve që iidhen me shkëmbinjtë ofiolitikë. Përdoret edhe për studime krahinore. Kohët e fundit është eksperimentuar me sukses përdorimi i M. për kërkimin e drejtpërdrejtë të shtratimeve të naftës. M. përdoret edhe për të ndihmuar studimet gjeologo-inxhinierike, për dukuritë karstike e rrëshqitjet, si edhe në kërkimet arkeologjike. (L.Lu.-A.F.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Magnetometria
[cite]