MAKARONAT


MAKARONAT
✤ Produkt ‘ushqimor prej brumi të përgatitur nga përzierja e miellit të grurit me ujë, qumësht, vezë etj, që thahet (deri 13% lagështi) në forma të ndryshme. Kanë vlerë të lartë ushqyese, shije të mirë dhe gatuhen me lehtësi. Ndahen në dy grupe: M. të gjata (kryesisht gypa e rripa të hollë) dhe M të shkurtra me forma dhe madhësi të ndryshme. Prodhohen me miell prej gruri të fortë dhe të butë, me qelqëzim, nga blojë e cilësisë së lartë. Lloje të ndryshme M. si peta, jufka etj. kanë qenë përgatitur në kushte shtëpiake që prej kohësh. Punishtja e parë për prodhimin e M. në Shqipëri u ngrit në Shkodër në fillim të shek. XX. Më 1925 u ngrit fabrika e parë e vogël në Durrës. Më 1938 ind. e M. përfaqësohej nga 5 fabrika të vogla e disa punishte në Shkodër, Durrës, Sarandë etj. me makineri e mjete primitive e që shpesh nuk punonin nga konkurrenca e M. që importoheshin nga Italia. Sot punojnë mbi 10 fabrika M. në Tiranë, Durrës, Shkodër, Peshkopi, Përmet etj. që prodhojnë mbi 20 lloje M. dhe dhanë më 1984 25.400 tonë M., një prodhim rreth 8 herë më të madh se në v. 1950, 3 herë më të madh se më 1960 dhe 1,4 herë më të madh se më 1970.

(H. P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Makaronat


[cite]