MAKIA
✤ Tërësia e shkurreve dhe drurëve të vegjël që formojnë pyje gjithmonë të gjelbra e të dendura, karakteristike për bimësinë e pellgut të Mesdheut. Në Shqipëri ky formacion është i përhapur kryesisht në J dhe pjesërisht në Shqipërinë e Mesme, nga zona bregdetare deri në lartësinë 700-800 m mbi sipërfaqen e detit. Llojet tipike të M. janë të përbëra nga mareja, shqopa, xina, mersina, dafina, mretet, mënishtet etj. Në formacionin e M. marrin pjesë edhe shkurre e shkurrëza gjetherënëse si gjineshtra, konopica (Vitex agnus-castus L) etj. M. paraqitet në disa lloje shoqërimesh, si M. me marë, me shqopë, me xinë etj., të shoqëruara me një florë barishtore të veçantë, të përbërë më shpesh nga Iloje njëvjeçare, karakteristike për klimën mesdhetare të ngrohtë. Kohët e fundit mjaft pyje me M. sidomos të Shqipërisë J janë zëvendësuar me plantacione agrumesh dhe ullinjsh. (Xh. Q.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Makia


[cite]