MAKIMAT E NAFTËS


MAKIMAT E NAFTËS
✤ Makina, mekanizma e pajisje për kryerjen e proceseve teknologjike të ndryshme në ind. e naftës (shih). Sipas qëllimit të përdorimit ndahen në makina shpimi, nxjerrjeje, transporti dhe grumbullimi të naftës dhe gazit. Në makinat e shpimit përfshihen sondat, motorët hidraulikë ballorë, kokat e kolonave të tubave, preventorët e tipave të ndryshëm. Në makinat e nxjerrjes së naftës përfshihen pajisje sipërfaqësore si armatura të fontanave, lëkundës, agregate të pastrimit dhe të larjes etj. si dhe pajisje të thellësive si pompa me piston, pompa hidraulike zhytëse pa purteka, pompa qendërikëse zhytëse, pompa me burmë etj. Në makinat për grumbullimin, ruajtjen dhe transportin e naftës përfshihen gazndarësit, pompat e ndryshme të gazsjellësve e naftësjellësve etj. Ind. e naftës dhe e gazit ka sot një park shumë të fuqishëm makinash, pajisjesh e mekanizmash. Ind. mekanike e vendit projekton dhe prodhon disa tipa sondash për shpimin e puseve, si dhe makineri e pajisje të veçanta si: argano e pompa shpimi, motorë me djegie të brendshme e kompresorë, pajisje për përgatitjen dhe pastrimin e lëngjeve larës të shpimit, dalta shpimi, kulla -shpimi dhe nxjerrjeje, pompa thellësie me piston, lëkundës, agregatë pastrimi e larjeje të lëvizshëm ose gjysmë të lëvizshëm, rezervuarë e gazndarës metalikë etj.

(F. Ka.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Makimat E Naftës


[cite]