MAKINAT E MINIERAVE


MAKINAT E MINIERAVE
✤ Grup i gjerë makinash dhe pajisjesh për punimet e hapjes së minierave (shih) dhe nxjerrjes së mineraleve nga nëntoka. M. e M. kanë disa veçori në ndërtimin e tyre, që diktohen nga mjedisi i punës, nga fortësia e lartë e shkëmbinjve dhe e mineraleve që shpohen, priten e rrëzohen me to, nga prania e ujit, e gazit etj. Prandaj M. e M. kanë qëndrueshmëri të lartë, motorë të fuqishëm. përmasa të kufizuara, hermeticitet dhe prodhohen të tilla që të mos shkaktojnë ndezje për minierat e qymyrit me gaz. M. e M. kanë zakonisht motor elektrik. Në minierat e xeherorëve metalorë dhe në ato me gaz metan përdoren shumë M. e M. me motor pneumatik. Në M. e M. përfshihen makina shpimi, makina gërmimi e rrëzimi, makina ngarkimi, makina transportimi etj. Në minierat e vendit, një numër i madh makinash punojnë me energjinë elektrike të rrymës alternative 220 e 380 V. si transportierët me kruese, transportierët me shirit, arganot e transportit me litar, arganot e skreperit, makinat ngritëse në puset e minierave, kombainat e rrëzimit të qymyrit, turjelat elektrike të shpimit etj. Përdoren gjithashtu makina që punojnë me rrymë të vazhduar si lokomotiva (elektrotërheqëset). Në minierat e kromit, të bakrit, të hekurnikelit etj. përdoren makina pneumatike me ajër të ngjeshur si çekiçë shpues, mbështetëse pneumatike, karela shpuese, çekiçë rrëzues, makina ngarkuese etj. Ind. mekanike e vendit ka sot uzina të veçanta si uzina «Dinamo» në Tiranë, e specializuar për prodhimin e pajisjeve dhe të M. të M. Kjo ind. prodhon sot transportierë me kruese e me shirit të tipave të ndryshëm, argano me një dhe dy tamburë, lokomotiva (elektrotërheqëse) 2.5 e 3 t, skrepera, vagona me aftësi të ndryshme rrotulluese, pompa, ventilatorë, pjesë të makinave ngritëse, teleferikë, makineri të pasurimit të mineraleve, ringarkues, shina, shkëmbyes, armatura metalike etj. Këto kanë bërë që në minierat e vendit të mekanizohen në shkallë të lartë mjaft lloje punimesh si shpimi, tranaporti, heqja e ujërave, ajrimi, ngarkimi etj.

(A. T.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Makinat E Minierave


[cite]