MALI I GJERË
✤ Mal në Krahinën Malore Jugore, midis rrethit të Sarandës dhe Gjirokastrës, kufi ujëndarës i pellgut të Delvinës dhe i luginës së Drinos si dhe i ujërave që derdhen në detin Adriatik e atyre që derdhen në detin Jon. Pika më e lartë arrin 1789 m (Maja e Frashërit). Maja të tjera të larta janë: Maja e Kikshajt (1782 m), Nikollasit (1584 m) Bidos (1543 m), Pilloit (1592 m), etj, Shtrihet nga lugina e Kardhiqit në VP e deri tek Qafa e Muzinës (540 m) në J, me gjatësi rreth 30 km. Është ndërtuar nga gëlqerorë të mesozoit dhe të paleogjenit që formojnë një strukturë të madhe antiklinale asimetrike me krah L më të qetë e krah P të shkëputur nga një mbihipje tektonike. Kurrizi ujëndarës si dhe shpati L janë të gjerë dhe me rënie të butë (ndaj ka marrë edhe emrin), të mbushur me forma të shumta të gërryerjes karstike. Qafat më kryesore janë: e Muzinës, e Sopotit dhe ajo e Skërfickës. Në këmbët JP dhe VL ka një sërë burimesh karstike (burimet e Bistricës, Vërgoit, Viroit). Drurët janë të paktë, por ka kullota të pasura verore dhe disa lloje bimësh mjekësore (çaji, salepi, murrizi, lule njëmijëfletëshi, rigoni). Nga kafshët e egra ndeshet sidomos thëllëza e malit. Ka gëlqerorë fosfatikë. Qendrat e banuara janë vendosur në të dy krahët deri në lartësinë 400-500 m. Në këmbët e shpatit L janë Gjirokastra, fshatrat e Dropullit të Poshtëm, Lazarati, Mashkullora etj., ndërsa në këmbët e shpatit P janë Delvina, fshatrat e Rrëzomës etj.
(F.Kr.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Mali I Gjerë
[cite]