MALI I POLISIT
✤ Mal në rrethin e Librazhdit SJ), me lartësi 1974 m (Faqja e Madhe). Është i ndërtuar kryesisht nga gëlqerorë dhe pjesërisht nga shkëmbinj ultrabazikë. Ka formën e një kubeje me shpate të thepisura. Pjesa e sipërme përbëhet nga forma të relievit akullnajor e karstik (kreshta, lugje, cirqe, gropa, hinka etj.). Në anët e tij dalin burime të shumta që ushqejnë i. Shkumbin. Është i veshur me pyje dushku dhe ahu, kurse në lartësitë ka kullota verore alpine. Ka bimë endemike si sanëza, zambaku shqiptar, disa lloje vjollcash dhe tërfilesh (sidomos Trifolium subterraneum me përmbajtje të lartë proteinash). Është kufiri J i arealit të përhapjes së luleyllit të Alpeve (Leontopodium alpinum). Ka me shumicë çaj mali, salep. Është edhe një rezervat për derrin e egër. Në disa sektorë të M. të P. ka xeherorë hekur-nikeli (Xhumagë, Liqen i Kuq etj.), boksit etj.
(P. Q.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Mali I Polisit
[cite]