MARGËLLIÇI


MARGËLLIÇI
✤ Fshat në rrethin e Fierit (JL), pranë qytetit të Patosit (shih). Gërmimet arkeologjike më 1976 e 1982 kanë zbuluar një vendbanim qytetar ilir ende të papërcaktuar. Është formuar si qendër e fortifikuar në periudhën e vonë të bronzit, nga fundi i shek. VII deri në shek. V p.e.r. u zhvillua si vendbanim paraurban. Si qytezë ilire në shek. IV-II p.e.r. u zgjerua në një sipërfaqe 4 ha me^, fortifikim të rindërtuar. Teknika është e afërt me të mureve të Apolonisë. Që nga shek. III luan rol si qendër prodhimi e shkëmbimi në trevën e bylinëve dhe sistemohet me rrugë të gjera, të shtruara me plloça. U rrënua gjatë ngjarjeve luftarake në gjysmën I të shek. II p.e.r.. Në shek. IV-VI e.i. u rifortifikua vetëm pjesa e sipërme e qytezës, ku ishte edhe një bazilikë paleokristiane. Më 29.3.1944 u bë beteja e M., ku morën pjesë Br. VI S dhe Grupi III i Mallakastrës dhe ra Heroi i Popullit Mustafa Matohiti. Tokat bujqësore të M. përfshihen në NB Frutore të Fierit, rritet kryesisht ulliri.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Margëlliçi


[cite]