Marko Papajani
shqiptar ortodoks Marko Papajani (1905-1990). Atë Marko ka lindur në fshatin Pevelan të Mokrës më 1 korrik 1905. I ati quhej Jovan dhe e ëma Gliqeria. Pas përfundimit të shkollës së fshatit, Marko ndihmonte babanë gjatë kryerjes së shërbesave fetare. Pasi martohet, ai transferohet në Tiranë ku ushtronte zanatin e muratorit. Duke ndjekur traditën e familjes më 28 nëntor 1930 u dorëzua dhjakon nga Kryeepiskop Visarioni, ndërsa më 2 korrik 1934 u hirotonis prift në Kishën e “Ungjillëzimit” në Tiranë. Në dhjetor të vitit 1942 mori ofiqin e “Ikonomit”. Me prishjen e kishave në vitin 1967 Atë Marko arriti që në fshehtësi të merrte miron, të shenjtat, veshjet, librat liturgjikë etj, dhe i vendosi në njerën dhomë të shtëpisë, të cilën e ktheu në kishëz. Të krishterët e fshehtë Vlash Semini, Dhimitër Beduli, Theofan Popa, Petro Zheji, Dhjakon Spiro Findiku, Koço Fështi, Eleni Papajani, Elpiza Xhimitiku etj, mblidheshin për të zhvilluar shërbesat fetare në shtëpinë e atë Markos. Fjeti përgjithmonë më 3 shkurt të vitit 1990.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Kristofor Beduli, Atë Marko Papajani dhe shënimet e tij, Neraida, Tiranë 2004, faqe 5-7.