MARKO THIMI VASIL


MARKO THIMI VASIL
✤ (1855-1922). Veprimtar i dalluar i Rilindjes Kombëtare, veçanërisht i arsimit në gjuhën shqipe. Lindi në Korçë e mërgoi në moshë të re në Rumani. Bashkëpunëtor i atdhetarëve të Bukureshtit dhe të Stambollit, nismëtar i krijimit të degës së Shoqërisë së Stambollit (1881) dhe i formimit të shoqërisë «Drita» (shih) në Rumani. U dërgua në Korçë (1886) nga kolonia shqiptare për të organizuar, së bashku me patriotët e tjerë, përhapjen e mësimit në gjuhën shqipe. Me Jovan Cico Kosturin dhe Orhan Pojanin formoi më’ 1886 komitetin e fshehtë në Korçë i cili drejtoi. luftën për çeljen e Mësonjëtores së Parë Shqipe dhe ndihmoi në mbarëvajtjen e saj. Për veprimtarinë e tij atdhetare u bë objekt ndjekjesh nga sunduesit osmanë e reaksioni shovinist e. klerikal. Më 1903 u arrestua nga autoritetet qeveritare. Ka kontribuar gjithashtu në organizimin e luftës së armatosur për liri e pavarësi dhe ka mbështetur Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe vendimet e tij. U zgjodh anëtar i Këshillit Administrativ të Krahinës Autonome të Korçës (1916 shih). Vdiq në Korçë.

(F. X.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Marko Thimi Vasil


[cite]