MARRËVESHJA E MONCËS


MARRËVESHJA E MONCËS
✤ (nëntor 1897). Marrëveshje verbale (në Monza të Italisë) midis ministrit të jashtëm të Austro-Hungarisë Goluhovski dhe kryeministrit italian Rudini për ruajtjen e status quo-së në Shqipëri, si dhe në të gjithë Ballkanin. Në qoftë se gjendja ekzistuese nuk do të mund të mbahej më gjatë, ndryshimi në Shqipëri do të bëhej në dy drejtime: ose ajo do të kthehej në një «provincë të privilegjuarx në kuadrin e Perandorisë Osmane ose do të bëhej një principatë e pavarur, e shkëputur nga Porta e Lartë. Frika se mos Shqipëria binte në dorë të rivales, i shtynte të dy fuqitë e Adriatikut të binin në ujdi për të «mos vënë dorë ato vite mbi të». Në dhjetor 1900-shkurt 1901, M. e M. deri atëherë verbale, u fiksua me shkrim nëpërmjet notave që u shkëmbyen midis ministrave të jashtëm të të dy vendeve.

(A. Pu.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Marrëveshja E Moncës


[cite]