MARRËVESHJA E MYRCSHTEGUT


MARRËVESHJA E MYRCSHTEGUT
✤ (Murzsteg, 24 tetor 1903). Program i hartuar nga Austro-Hungaria dhe Rusia dhe i miratuar nga Fuqitë e tjera të Mëdha për «reformat» në tre vilajetet e Selanikut, Kosovës dhe Manastirit. Ky program, që u pranua nga Porta e Lartë u dha shkas Fuqive të ndërhynin duke dërguar në këto vise forcat e tyre të xhandarmërisë dhe një rrjet të gjerë nëpunësish e agjentësh. Ndër masat e pa~ rashikuara ishte edhe ndarja e re administrative e këtyre vilajeteve në sektorë sipas kriterit etnik. Kjo u bë shkak për shpërthimin e trazirave nga ana bullgare, serbe e greke. Qeveritë e këtyre vendeve botuan edhe statistika të rreme në favor të vet për përbërjen etnike të popullsisë së këtyre viseve. Për popullsinë shqiptare të vilajeteve të Kosovës e Manastirit u krijua rreziku që nëpërmjet «zbatimit të reformave» të arrihej në shkëputjen e tyre nga trungu i Shqipërisë. Kjo ishte arsyeja e vërtetë e kundërshtimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e cila pas M. së M. u zgjerua përsëri në një lëvizje kryengritëse. Si rezultat, me rastin e caktimit dhe ndarjes së sektorëve në shkurt 1904, Fuqitë u detyruan të linin mënjanë viset e banuara nga popullsi shqiptare: pjesën perëndimore të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, sanxhakun e Elbasanit, pjesën perëndimore të kazasë së Ohrit, gati gjithë sanxhaqet e Dibrës e të Prizrenit, pjesën jugperëndimore të sanxhakut të Pejës. Ky ishte një sukses për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, sepse tërthorazi kishte kuptimin e njohjes së karakterit etnik shqiptar të këtyre viseve.

(A. Pu.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Marrëveshja E Myrcshtegut


[cite]