MBARËSHTIMI I KAFSHËVE


MBARËSHTIMI I KAFSHËVE
✤ Veprimtari për mbajtjen, shtimin dhe përmirësimin e kafshëve, dhe për të rritur prodhimet blegtorale prej tyre. Përfshin të ushqyerit e kafshëve, higjienën, riprodhimin dhe seleksionimin ose përmirësimin gjenetik. Mbarështimi intensiv është pjesë përbërëse e bujqësisë intensive dhe kërkon mbajtjen e një numri të madh krerësh duke marrë prodhime të larta për njësinë e sipërfaqes së tokës. Mënyra më e zhvilluar është mbarështimi industrial, i cili është përhapur edhe në vend për shpendët dhe tani po përhapet për derrat e gjedhët. Mbarështimi ekstensiv bëhet duke i mbajtur kafshët në kushte më afër natyrës (kullota etj) për të shfrytëzuar burimet natyrore ushqimore, por merren prodhime jo të larta në njësinë e sipërfaqes. Para Çlirimit, karakteristikë ka qenë mbarështimi ekstensiv. Mbaheshin kafshë të racave me prodhimtari të ulët, por me përshtatje të mirë ndaj faktorëve të ashpër klimatikë e të mjedisit dhe ndaj mungesave në të ushqyer. Pas Çlirimit blegtoria kaloi gradualisht në rrugën e intensifikimit, u krijua një bazë e fuqishme ushqimore, racat primitive u zëvendësuan me ato të përmirësuara; u ngritën ndërtime të përshtatshme për blegtorinë dhe po vendosen edhe hallkai e tjera të teknikës së mbarështimit modern. Mbarështimi ekstensiv ndihmon rritjen e numrit të krerëve dhe të prodhimit të përgjithshëm blegtoral, duke futur elemente të teknikës shkencore të të ushqyerit, përmirësimi gjenetik dhe veterinarisë.

(R. F.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Mbarështimi I Kafshëve


[cite]