MBLEDHJA E DYTË E KËSHILLIT ANTIFASHIST NACIONALÇLIRIMTAR
✤ (1944). Zhvilloi punimet nga 20-23 tetor 1944 në qytetin e çliruar të Beratit. Mbledhja mori vendimin historik për shndërrimin e Komitetit Antifashist në Qeveri Demokratike të Shqipërisë. Në programin e saj, paraqitur nga kryetari i Qeverisë, shoku Enver Hoxha, Qeveria merrte përsipër të zhvillonte e të forconte më tej luftën për çlirimin e shpejtë e të plotë të Shqipërisë, të ruante pavarësinë e shtetit shqiptar, të forconte pushtetin e këshillave nacionalçlirimtarë, të siguronte e të mbronte të drejtat e qytetarëve. Gjithashtu Qeveria u zotua që të organizonte pas Çlirimit të vendit zgjedhje demokratike pëi Asamblenë Kushtetuese, e cila do të përcaktonte përfundimisht formën e regjimit dhe do të hartonte Kushtetutën e shtetit të ri shqiptar. Mbledhja e Beratit pranoi ligjin mbi këshillat nacionalçlirimtarë, si dhe ligjin mbi zgjedhjet e këshillave. Deri në këtë kohë këshillat kishin qenë edhe organe pushteti, edhe organe të Frontit Nacionalçlirimtar. Këtej e tutje ato do të kryenin detyra vetëm si organe të pushtetit demokratik popullor. Fronti do të krijonte organizatat e tij më vete. Një nga , vendimet më të rëndësishme të Mbledhjes së Beratit ishte miratimi i «Deklaratës mbi të drejtat e qytetarëve», që përbënte një dokument kushtetues të shtetit të ri të demokracisë popullore. Me anë të saj u siguroheshin të gjithë shtetasve të drejta të barabarta përpara ligjit. Vendimet e Mbledhjes së Beratit ishin plotësimi dhe konkretizimi i mëtejshëm i vendimeve historike të Kongresit të Përmetit dhe shënonin një fitore të re politike të popullit shqiptar mbi fashizmin e reaksionin e brendshëm dhe qenë një grusht tjetër kundër orvatjeve të imperialistëve anglo-amerikanë për të vendosur kontrollin e tyre në Shqipëri.
(Xh. F.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Mbledhja E Dytë E Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar
[cite]