MBROJTJA E PLAVËS DHE E GUCISË
✤ (1878-1880). Lufta për mbrojtjen e krahinave shqiptare të Plavës e Gucisë nga aneksimi prej Malit të Zi i vendosur nga Kongresi i Berlinit (shih). Principata e Malit të Zi shfrytëzoi këtë vendim që të realizonte qëllimet e veta pushtuese të ushqyera prej kohësh. Por Komiteti lokal i Lidhjes Shqiptare në Plavë e Guci deklaroi vendosmërisht se nuk do t’i lëshonte kurrë këto troje, se ato ishin shqiptare. Në fillim të janarit 1879, Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit vendosi ta kundërshtonte nie armë lëshimin e Plavës e të Gucisë të pranuar zyrtarisht nga Porta, vendim ky që u miratua edhe nga komitetet e Lidhjes të vilajeteve të Shkodrës e të Kosovës. Vullnetarë nga gjithë krahinat fqinje vrapuan për në Plavë e Guci në ndihmë të reparteve vendase. Megjithatë qeveria e Malit të Zi vuri në lëvizje forcat e saj ushtarake. Beteja vendimtareu hë më 5 janar 1880 në Velikë dhe Pepiç, ku pas tri ditë luftimesh të përgjakshme forcat malazeze u thyen. Mbrojtja e P. dhe e G. la përshtypje të thellë në opinionin publik shqiptar dhe në atë ndërkombëtar; asaj i bënë jehonë poezia popullore, letërsia artistike si dhe publicistika shqiptare dhe ndërkombëtare. Mbrojtja e P. dhe e G. e fuqizoi më tej mobilizimin e shqiptarëve rreth Lidhjes së Prizrenit për mbrojtjen e tërësisë së trojeve të tyre kombëtare.
(K. X.-Q. Ze.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Mbrojtja E Plavës Dhe E Gucisë
[cite]