MEKANIZIMI I MINIERAVE


MEKANIZIMI I MINIERAVE
✤ Përdorimi i makinave për kryerjen e proceseve të punës në minierë. Para Çlirimit në minierat e Shqipërisë zotëronte vetëm puna e krahut. Shpimi i birave, rrëzimi i mineralit, ngarkimi, transporti, armatimi i punimeve minerare kryheshin me krahë, duke përdorur vegla të thjeshta pune. Pas Çlirimit, shkalla e mekanizimit ka ardhur vazhdimisht duke u ngritur. Në fillim u mekanizuan proceset më të rënda dhe që zinin me punë shumë njerëz, si shpimi i birave, transporti i farendshëm etj. Sot përdoret një numër i madh makinash. Shpimi është mekanizuar me çekiçë shpues pneumatikë. Transporti i brendshëm bëhet me transportierë të tipave të ndryshëm, me skrepera, argano dhe me lokomotiva elektrike. Në puset vertikale, me thellësi disa qindra metra, transporti bëhet me makina e pajisje ngritëse. Ngarkimi bëhet me makina ngarkuese pneumatike dhe elektrike. Për heqjen e ujërave përdoren pompa dhe për ajrimin ventilatorë. Ndër minierat më të mekanizuara janë miniera e qymyrit në Valias, minierat e hekurnikelit dhe të kromit. Në disa miniera qymyri rrëzimi bëhet me kombajnë. Në minierat e hekurnikelit përdoren vagona të mëdhenj vetëshkarkues. Është i mekanizuar në punimet e gjata nëntokësore edhe transporti i njerëzve. Përdoret gjerësisht energjia elektrike. Një pjesë e mirë e makinerive të minierave (shih) prodhohet nga industria jonë mekanike. M. i M. po zëvendëson shkallë-shkallë punën e krahut dhe ka arritur kulturën në punë. Ai sjell ngritjen e rendimentit, uljen e kostos së prodhimit dhe përmirësimin rrënjësor të sigurisë dhe kushteve të punës në nëntokë.

(A. T.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Mekanizimi I Minierave


[cite]