MEKSI VANGJEL
✤ ( ? -1823). Përkthyes dhe lëvrues i gjuhës shqipe, mësues dhe mjek. Ishte nga Labova e Gjirokastrës. Pasi kreu studimet e larta në Napoli, punoi si mjek pranë Ali Pashë Tepelenës deri më 1810, kur ra në mërinë e tij dhe mërgoi në Evropë. Më pas punoi si mjek në Greqi e Turqi, mori pjesë në organizatat e fshehta për çlirimin e Greqisë dhe vdiq gjatë rrethimit të Tripolicas së Peloponezit. Ka të dhëna se më 1814 botoi për t’u përdorur në shkollë dy përkthime të shkrimtarit kishëtar frëng Klod Flëri (Abbë Fleury): «Doke të Izraelitëve» dhe «Doke të të krishterëve». Puna madhore e V. M. është përkthimi shqip i «Dhjatës së re» (1819-1821, Stamboll). Më 1824 u botua si provë e parë Ungjilli i Mateut, kurse gjithë libri doli më 1827 në Korfuz nën kujdesin e Grigor Gjirokastritit (shih). Gjuha është mbështetur në të folmet e Gjirokastrës, por është përpunuar e pasuruar. Libri u përhap në Shqipëri dhe ndikoi për ta përdorur shqipen në shërbesat fetare. U vlejti si mbështetje e çmueshme për studimin e shqipes gjithë albanologëve gjatë shek. XIX. V. M. kishte hartuar një gramatikë të gjuhës shqipe (1819). Ai bëri një hap me rëndësi në lëvrimin e shqipes letrare dhe është paraardhës i rilindësve në këtë fushë.
(Xh. Ll.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Meksi Vangjel
[cite]