MEKANIZMI I FRYMËMARRJES

MEKANIZMI I FRYMËMARRJES

Kafazi i kraharorit formohet nga diafragma, që ndodhet në pjesën e poshtme të tij, nga brinjët. dhe nga muskujt që i lëvizin ato. Kur ne marrim frymë, diafragma ulet poshtë dhe brinjët ngrihen e hapen pak përpara, kafazi i kraharorit zgjerohet, mushkëritë hapen dhe ajri, nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes, mbush mushkëritë. Kur ne nxjerrim frymën ndodh e kundërta: diafragma ngrihet lart dhe brinjët ulen; mushkëritë kthehen përsëri në vëllimin e tyre të mëparshëm, duke nxjerrë jashtë ajrin. Marrja e frymës është një fazë aktive e procesit të frymëmarrjes, që kryhet me tkurrjen dhe me tendosjen e muskujve; ndërsa nxjerrja e frymës është fazë pasive, ajo kryhet vetvetiu, me lëshimin e muskujve.

Ritmi i frymëmarrjes ndryshon sipas moshës dhe sipas veprimtarisë së organizmit. Fëmija e sapolindur kryen 30-40 lëvizje frymëmarrjeje në minutë; një fëmijë në moshën 6 vjeç kryen rreth 22 në minutë; në moshën 15-25 vjeç ritmi është 16 deri 18 në minutë.

Kur vrapojmë ose kur kryejmë ndonjë punë të lodhshme, si p.sh. kur transportojnë ndonjë ngarkesë të rëndë etj., rriten nevojat e organizmit për oksigjen, si rrjedhim rritet edhe ritmi i frymëmarrjes; në këtë rast marrim frymë më shpesh. Frymëmarrja është një proces gjysmë-automatik, sepse brenda disa kufijve, ne mund të ndikojmë mbi të. Ne me vetëdije mund të ndikojmë (ndërpresim) frymëmarrjen për pak kohë, p.sh., kur zhytemi në ujë. Por në përgjithësi duhet të pranojmë se frymëmarrja është një proces që kryhet në mënyrë të pavarur.

Qendra nervore që drejton e që kontrollon frymëmarrjen është një grup qelizash, të cilat ndodhen në trurin e vogël, në fillimin e palcës kurrizore. Fijet nervore që dalin nga kjo qendër drejtojnë diafragmën, muskujt e brinjëve etj. Ritmi i frymëmarrjes mund të ndryshojë edhe nga faktorë të tjerë. Kështu, nëse gjaku përmban shumë gaz karbonik, atëherë frymëmarrja shpeshtohet, me qëllim që organizmi të pastrohet sa më shpejt nga ky gaz i dëmshëm.

Trupi — Ynë

[cite]