MEKANIZMI TË DËGJUARIT
Për të kuptuar se si dëgjojmë, le të ndjekim rrugën që përshkon tingulli nga llapa e veshit e deri te organi i Kortit. Tingulli, pasi kapet nga llapa e veshit, hyn në kanalin e jashtëm dhe përplaset te daullja. Sipas dridhjeve të tingullit, dridhet edhe membrana e daulles. Këto dridhje përhapen në hapësirën që vjen pas saj dhe vënë në lëvizje tri kockat: kudhrën, çekiçin dhe yzengjinë, të cilat kanë aftësinë që të fuqizojnë e të qartësojnë këto dridhje që marrin nga membrana. Prej këtej, dridhjet e tingullit i komunikohen një membrane tjetër. që lidh veshin e mesëm me atë të brendshmin.
Kjo membranë, nga ana e saj, ia transmeton këto dridhje disa lëngjeve që mbushin kanalet e labirintit eshtëror dhe membranor dhe këto, nëpërmjet kërmillit, i transmetojnë tek organi i Kortit, që është aparati marrës i tingujve. Ai është i përbërë nga disa fije të holla, që vihen në lëvizje, që fillojnë të dridhen në përputhje me lartësinë, me forcën e me timbrin e zërit. Këto dridhje, këto ngacmime, organi i Kortit i shndërron në impulse nervore. Nervi i dëgjimit, fijet e të cilit shtrihen në gjithë organin e Kortit, i merr dhe i transmeton impulset nervore në tru, në zonën e’ dëgjimit. Në këtë mënyrë ne dëgjojmë dhe arrijmë të përcaktojmë me saktësi edhe natyrën e zërit. Veshi i njeriut nuk arrin të dëgjojë të gjitha llojet e tingujve që prodhohen në mjedisin rrethues. Ne mund të dëgjojmë vetëm ata tinguj që kanë nga 16 deri në 20 000 dridhje (lëkundje) në sekondë. Tingujt që kanë më pak se 16 dhe më shumë se 20 000 lëkundje në sekondë, ne nuk mund t’i dëgjojmë. Por duhet të themi se kjo aftësi dëgjimi ulet me kalimin e moshës. Kështu pas moshës 50 vjeç arrijmë të dëgjojmë tinguj që kanë deri 13 000 lëkundje në sekondë. Në natyrë ka kafshë që dëgjojnë edhe tinguj që ne nuk arrijmë t’i kapim. Eksperimentet kanë treguar se qeni dëgjon tinguj që arrijnë deri në 25 000 lëkundje në sekondë. Kur dëgjojmë mirë nga të dy veshët, jemi në gjendje të dallojmë edhe drejtimin nga vjen tingulli. Nëse nuk dëgjojmë mirë ose aspak nga njëri vesh, për të përcaktuar burimin nga vjen tingulli duhet të lëvizim kokën.