MEMORANDUMI I GREÇËS


MEMORANDUMI I GREÇËS
✤ Dokument historik që përmbante kërkesa për krijimin e një province autonome shqiptare. U miratua më 23 qershor 1911 në pllajën e Greçës të Malësisë së Madhe nga «Kuvendi i Përgjithshëm i krerëve shqiptarë», i mbledhur me përfaqësues të Komitetit Shqiptar të Podgoricës që drejtonte Kryengritjen antiosmane të vitit 1911 (shih) dhe të Malësisë së Mbishkodrës. U hartua nga I. Qemali, L. Gurakuqi etj., iu paraqit qeverisë turke e Fuqive të Mëdha dhe u shtyp si broshurë më vete, e njohur me emrin «Libri i kuq». Përmbante 12 kërkesa për autonominë territoriale e administrative të Shqipërisë, ndër të cilat: hjohjen e plotë të kombit shqiptar, bashkimin e vilajeteve me popullsi shqiptare, vendosjen e administratës civile e financiare shqiptare, krijimin e organeve gjyqësore, të xhandarmërisë e policisë me vendës, përdorimin në administratë, të, në gjyqe e kuvende të gjuhës shqipe krahas turqishtes, lirinë e plotë për të zgjedhur deputetë shqiptarë, për të mësuar gjuhën shqipe dhe për të hapur shkolla shqipe me të drejtat e shkollave shtetërore, kryerjen e shërbimit ushtarak brenda vendit në kohë paqeje, përdorimin e një pjese të mirë të të ardhurave fiskale për nevojat e vendit, administrimin nga shqiptarët të buxhetit të vilajeteve etj. Kërkesat e M. të G. u përvetësuan nga gjithë kryengritësit, shërbyen si mbështetje për krahinat e tjera të vendit, që kërkuan zbatimin e tyre nga qeveria dhe i nxitën luftëtarët patriotë të këtyre krahinave të hidheshin në veprime të hapura kundër sundimit osman.

(S. Po.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Memorandumi I Greçës


[cite]