METO MEMO


METO MEMO
✤ (19X1-1944). Militant komunist, veprimtar i shquar i lëvizjes komuniste dhe i Luftës ANÇ, poet, Hero i Popullit. Lindi në Kuç të Kurveleshit. Përqafoi idetë komuniste dhe u hodh në veprimtari revolucionare. Anëtar i PKSH me themelimin e saj. Një nga organizatorët e luftës së popullit të Kurveleshit kundër pushtimit fashist në këtë krahinë, gojëtar i zoti, u shqua veçanërisht si propagandist i zjarrtë i ideve të Partisë, për demaskimin e organizatës së Ballit Kombëtar dhe krerëve të saj në krahinën e Kurveleshit. Dha ndihmesë të madhe për krijimin e çetave partizane «Hajredin Tremishti», «Avni Rustemi» e «Toto Bolena» (1942). Mori pjesë në luftën e Gjormit (shih). U vra pabesisht nga tradhtarët në Kuç të Kurveleshit, më 2.4.1944. M. M. ishte vjershëtar i tipit të rapsodit popullor. Në veprën e tij ndihet edhe ndikimi i letërsisë së Rilindjes Kombëtare, sidomos i A. Z. Çajupit. Në vjershat bëri thirrje për të rrëmbyer armët kundër pushtuesve fashistë e tradhtarëve nga feudo-borgjezia dhe sipas rastit i goditi me satirë. U këndoi me theks epik idealeve komuniste e dëshmorëve. Këngët e tij u bënë popullore e u kënduan me meloditë labe. Krijimtaria është përmbledhur në vëllimin Lulet e rinisë (T. 1976).

(F. La.—A. Z.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Meto Memo


[cite]