MINIERA E BAKRIT E RUBIKUT


MINIERA E BAKRIT E RUBIKUT
✤ Një nga minierat më të vjetra të Shqipërisë, në rrethin e Mirditës, e përmendur për cilësinë e lartë të xeherorit të bakrit me rreth 5% Cu. Në vendburimin e Rubikut janë shfrytëzuar disa trupa të vegjël xeherorësh në formë thjerrëzash, ndërmjet shkëmbinjve të formacionit efuzivo-sedimentar jurasik. Mineralet kryesore të bakrit në pjesën e shfrytëzuar janë kalkopiriti, piriti, bomiti, kalkozina etj. Vendburimi u diktua më 1935 nga një teknik vendas. Shfrytëzimi filloi më 1938 nga shoqëria koncesionare italiane SAMIA, e cila e shfrytëzoi intensivisht, sidomos në vitet e pushtimit fashist, në horizontin e sipërm deri në 45 m thellësi. Pas Çlirimit miniera u rimëkëmb, punimet kaluan në thellësi deri 245 m dhe u shtrinë në gjerësi. Sidomos pas vitit 1975 u zgjeruan shumë kërkimet dhe zbulimi gjeologjik i vendburimit, duke vërtetuar praninë e trupave të tjerë në thellësi deri 600 m. Janë zbuluar rezerva disa herë më të mëdha, është projektuar një minierë e re e Rubikut dhe kanë filluar punimet e hapjes së saj.

(F. K.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Miniera E Bakrit E Rubikut


[cite]