MINIERA E HEKURNIICELIT E PËRRENJASIT


MINIERA E HEKURNIICELIT E PËRRENJASIT
✤ Miniera më e madhe e nxjerrjes së xeherorit të hekurnikelit në Shqipëri. U vu në shfrytëzim më 1971. Vendburimi bën pjesë në fushën e madhe xeherormbajtëse të Librazhdit. Trupi i xeherorit, me trashësi 3-14 m, e me trajtë shtresore ka rënie me pjerrësi të butë deri mesatare, por ka pësuar një copëtim të dukshëm tektonik duke u ndarë në blloqe të veçanta të vendosura në thellësi të ndryshme. Shfrytëzimi i trupit bëhet me disa mënyra të nxjerrjes nëntokësore. Zbatohet kryesisht sistemi me rrëzim në të gjithë trashësinë dhe me shembje të shkëmbinjve të tavanit, duke bërë vjelje me anë të hinkave në dysheme. Pjesa e sipërme e minierës, që shfrytëzon rezervat në kuotat më të larta, është hapur me punime horizontale (traverbankë, galeri fushore) e të pjerrëta (dishenderi), kurse për shfrytëzimin e rezervave të xeherorit në thellësi vazhdon hapja me dy puse vertikale dhe me punime të tjera lidhëse. M. e H. e P. e ka rritur prodhimin vazhdimisht dhe gjatë pesëvjeçarit VII kundrejt pesëvjeçarit VI prodhimi do të dyfishohet. Zbatimi i sistemeve më efektive të shfrytëzimit është shoqëruar me rritjen e shkallës së mekanizimit në rrëzimin, ngarkimin dhe transportin e xeherorit. Kundrejt vitit I të prodhimit, rendimenti i punës është rritur rreth 3 herë. Xeherori nëpërmjet hekurudhës shkon kryesisht në Kombinatin Metalurgjik «Çeliku i Partisë» në Elbasan, si dhe në portin e Durrësit, Kompleksi industrial i sipërfaqes së minierës ngrihet në hyrje të qytetit të ri të Përrenjasit.

(H. S.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Miniera E Hekurniicelit E Përrenjasit


[cite]