MJEKËSIA
✤ Shkenca që merret me ruajtjen dhe forcimin e shëndetit të njeriut, me studimin, parandalimin dhe mjekimin e sëmundjeve. Degët e M. grupohen në disa ndarje të mëdha: shpjegimi i ndërtimit dhe i funksionimit normal të organizmit të njeriut (si anatomia normale, histologjia, fiziologjia normale, biokimia etj.), patologjia (fiziologjia patologjike, patologjia anatomike), diagnostikimi, mjekimi dhe parandalimi i sëmundjeve ose, siç quhen, disiplina klinike (terapia, kirurgjia, sëmundjet e fëmijëve, sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut, etj.), studimi i mjedisit të jashtëm dhe i ndikimit të tij mbi shëndetin e njeriut (higjiena, epidemiologjia, mikrobiologjia). M. shqiptare para Çlirimit ishte e prapambetur dhe e përqendruar kryesisht në veprimtarinë praktike; nuk kishte institucione mjekësore shkencore. Pak mjekë përparimtarë, që u përpoqën të merreshin me shkencën mjekësore, nuk gjetën përkrahjen e nevojshme dhe disa prej tyre e zhvilluan veprimtarinë jashtë atdheut. Pas Çlirimit të vendit, si pjesë përbërëse e veprimtarisë së gjerë të pushtetit popullor për përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të jetëses së masave punonjëse dhe të kujdesit për shëndetin e tyre (Shih: Shëndetësia, u zhvillua edhe M. si shkencë, u pakësuan shumë raste për një varg sëmundjesh si malaria, tuberkulozi, sifilizi edhe shumë sëmundje të tjera ngjitëse që shkaktojnë vdekshmëri të lartë sidomos tek fëmijët. Një shtytje shkencës mjekësore i dha ngritja e Institutit të Lartë të Mjekësisë (1952) sot Fakulteti i Mjekësisë dhe më vonë ngritja e instituteve të tjera si Instituti për Sëmundjet e Mushkërive, Instituti i Higjienës dhe Epidemiologjisë, Instituti Kërkimor i Mjekësisë Ushtarake, Instituti i Mjekësisë Popullore etj. Në shumë rrethe janë ngritur shoqatat shkeneore mjekësore. Çdo vit në mënyrë të programuar, zhvillohen në qendër e rrethe, simpoziume e sesione shkencore ku rrihen probleme të ndryshme shkencore. Punimet shkencore të M. shqiptare botohen në Buletinin e UT, — seria shkenca mjekësore, në Revistën mjekësore etj. Çdo vit dalin në dritë botime të shumta mjekësore. M. ushtarake si degë e M. ka disa veçori, që lidhen me kushtet e veçanta të jetës e të veprimtarisë në kohë lufte, me profilaksinë e mjekimin e trupave, sidomos me mundësinë e përdorimit të armëve të dëmtimit në masë në luftën e sotme. Gjatë luftërave shekullore për çlirim të popullit shqiptar janë zbatuar kryesisht metodat e mjekësisë popullore (shih). Në luftën e Vlorës më 1920 forcat kryengritëse krijuan një spital në Kotë për të plagosurit, që e drejtonte mjeku Sezai Çomo (shih). Gjatë Luftës ANÇ me kujdesin e PKSH u organizua mjekësia partizane (shih). Pas Çlirimit M. ushtarake ka dhënë ndihmesë të veçantë edhe për luftimin e sëmundjeve të përhapura në masë, të trashëguara nga e kaluara. Sot ajo ka organizimin e taktikën e vet në përputhje me kushtet e vendit e kërkesat e artit ushtarak popullor dhe në bazë të tyre stërviten gjithë punonjësit e shëndetësisë të vendit. Punimet shkencore në këtë fushë botohen në Buletinin e mjekësisë ushtarake (shih). Plenumi i 8-të i KQ të PPSH (1980) i vuri detyra të reja M. shqiptare për përdorimin gjerësisht të metodave të reja bashkëkohore në profilaksi, në diagnostikimin e mjekimin e sëmunndjeve, për njohjen më të mirë të shkallës së përhapjes së sëmundjeve, të faktorëve që i shkaktojnë ato dhe për gjetjen e rrugëve për mënjanimin e tyre, për uljen e mëtejshme të vdekjeve foshnjore. Kërkimet janë drejtuar në fusha më pak të lëvruara, si në fiziologjinë e punës, gjenetikën mjekësore, imunologjinë, mbrojtjen e mjedisit nga ndotjet etj.
(C. P.—L. Gjo.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Mjekësia
[cite]