MJEKËSIA POPULLORE


MJEKËSIA POPULLORE
✤ Veprimtari praktike për ruajtjen e shëndetit, parandalimin dhe mjekimin e sëmundjeve duke përdorur masat mjekësore tradicionale. Në kushtet e prapambetjes së mjekësisë dhe kur shërbimi mjekësor ishte tepër i kufizuar populli ka shfrytëzuar për parandalimin dhe mjekimin e sëmundjeve mjetet e lëndët natyrore, si bimët mjekësore, organet shtazore, ujërat e baltërat minerale etj. M. P. është dalluar sidomos në fushën e kirurgjisë me xherahët (shih). Për disa sëmundje është grumbulluar një përvojë e dobishme, metodat e së cilës përdoren edhe në ditët tona. Veçanërisht në luftërat për çlirimin kombëtar e shoqëror metodat e M. P. kanë dhënë një ndihmesë të madhe.

Pas Çlirimit, me gjithë zhvillimin e mjekësisë shkencore, në Plenumin XI të KQ të PPSH (1971) u dha porosia që përvoja e M. P. shqiptare të studiohet më mirë për t’u përdorur në shërbim të popullit, e ndërthurur me metodat e mjekimit modern të shëndetësisë. Vendimi i Këshillit të Ministrave të RPSSH për krijimin e Institutit të Mjekësisë Popullore (shih) krijoi kushte për një studim të organizuar shkencor, të bazuar në analizën eksperimentale laboratorike dhe klinike të përvojës popullore të mjekimit.

(P. K.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Mjekësia Popullore


[cite]