MJEKIMI NGA ARMËT E DËMTIMIT NË MASË
✤ Tërësia e masave mbrojtëse profilaktike dhe mjekuese kundër armëve atomike-termobërthamore, kimike dhe bakteriologjike. Armët atomike gjatë shpërthimit shkaktojnë dëmtime të rënda nga: vala goditëse, nxehtësia, rrezatimi ndriçues e radioaktiv, si dhe ndotja radioaktive e vendit dhe ajrit. Te njeriu mund të veprojë njëri nga këta fakëtorë ose disa së bashku. Efekti dëmtues varet nga madhësia e armës, nga largësia prej vendit të shpërthimit (epiqendrës), nga karakteri i shpërthimit (tokë, ajër etj.), nga natyra e vendit, nga koha, stina etj. Territori ynë malor e tepër malor, sidomos punimet e mëdha me karakter mbrojtës dhe masat e tjera e pakësojnë efektin dëmtues të këtyre armëve. Armët kimike janë lëndë kimike të prodhuara për qëllime lufte, të cilat grupohen sipas organeve ku veprojnë. Veprimi i tyre mund të jetë i shpejtë ose i ngadaltë. Për t’u mbrojtur nga këto armë përdoren mjetet vetjake, kundërgazi, largimi i popullatës me shpejtësi nga vatra e dëmtimit dhe përpunimi shëndetësor i të dëmtuarve. Arma bakteriologjike përdor si dëmtues shkaktarë të ndryshëm të sëmundjeve ngjitëse, helme bakteriale ose ndërthurje të mikrobeve me toksina. Përcaktimi i shpejtë i mikrobit të përdorur e i zonës së infektuar, zbatimi në kohë i masave mbrojtëse vetjake dhe kolektive, marrja e masave profilaktike dhe antiepidemike janë faktorët kryesorë që përcaktojnë mbrojtjen me sukses nga kjo armë. Për të gjitha rastet popullsisë i jepet në kohë sinjali i alarmit gjatë sulmit me këto armë dhe zbatohet sistemi i masave mbrojtëse.
(Sp. D.—E. Du.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Mjekimi Nga Armët E Dëmtimit Në Masë
[cite]