MJESHTËRITË POPULLORE
✤ Zeje të ushtruara me punën e dorës a me vegla të thjeshta. Në fshat përgjithësisht ushtroheshin brenda shtëpisë, një pjesë për të plotësuar nevojat e brendshme të familjes si punimi i enëve, orendive shtëpiake prej druri, i tekstileve të ndryshme etj. Disa mjeshtër fshatarë kanë punuar edhe për porosi të ardhura nga fshatra të ndryshme. Të njohur kanë qenë: Gërmani (Mat), Farka (Tiranë) etj. për punimin e enëve të baltës, ndërsa Kushneni (Mirditë) për punimin e këmborëve; Ndërlysaj (Shkodër) për punimin e enëve të drurit; krahina e Lumës (Kukës), ajo e Kurveleshit, e Korçës, Pejës (Kosovë) dhe Gucisë (Mali i Zi) për punimin e tekstileve të leshta; krahina e Zadrimës, fshatrat e Shqipërisë së Mesme e të FushëKrujës për përpunimin e tekstileve të pambukta e të mëndafshta etj. Punimet shiteshin në tregjet ose panairet krahinore. Një pjesë tjetër mjeshtërish fshatarë qenë edhe shëtitës. Ishin të njohur jashtë krahinave të tyre muratorët dibranë e oparakë, drugdhendësit dibranë e ata të fshatrave të Gjirokastrës, kallajxhinjtë malëshovitë, gurëgdhendësit mokrarë etj. Me ushtrimin e mjeshtërive në qytete merreshin zejtarët. (shih: Zejtaria).
(A. O.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Mjeshtëritë Popullore
[cite]