Moikom Zeqo

Moikom Zeqo (1949-) ka lindur në Durrës, më 3 qershor 1949. Më 1971 u diplomua në Universitetin Shtetëror të Tiranës, për Gjuhë-Letërsi Shqipe. M. Zeqo më 1989 ka marrë gradën shkencore “Doktor i Shkencave”. Ka bërë disa specializime në universitete të ndryshme të botës. Në vitet 1971-1973 ka punuar redaktor në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Në moshën 24- vjeçare, M. Zeqo u dënua nga Pleniumi i IV duke e dëbuar si redaktor letrar të “Dritës”. Dënomin e kreu duke punuar si mësues në Rrogozhinë. Pas viteve 90-të, M. Zeqo filloi të ngjiste shkallët e karrierës. Kështu më 1991 ka qenë Ministër i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, më 1992-1996 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe gjatë viteve 1998-2004 ka drejtuar Muzeun Historik Kombëtar. M. Zeqo ka botuar këta libra me poezi: “Vegime të vendlindjes” (1968), “Qyteti Feniks” (1970), “Brenda vetes” (1974), “Ditët” (1984), “Libër i hapur” (1986), “Njëqind zemra” (1989), “Meduza” (1994), “Tempulli i hënës” (1998), “Bota e krijuar nga Onufri” (2001), “Miscellanea 1” (2006). Libri i fundit “Miscellanea 1” (Përzgjedhje), përmban krijimtarinë letrare të Moikomit rreth viteve 1964-1989. Në këtë vëllim poetik ka përfshirë edhe ato poezi, të cilat ia kanë censuruar. Ky libër i dedikohet nënës së tij të ndjerë, Pandorës, foton e së cilës e ka paraqitur në kopertinë. M. Zeqo ka botuar rreth 70 libra dhe e kam të pamundur t‘i përmend të gjithë, por nga proza e tij kam përzgjedhur disa tituj: “Kalorësit dardanë” (1993), “Panteoni ilir” (1996), “Onufri” (1998), “Mes Laokontit dhe Krishtit” (2000), “Kështu foli Mona Liza” (2000), “Engjëjt e pikturës dhe Lasgush Poradeci” (2003), “Grishja e Florimontit” (2004), etj. Me këtë krijimtari të pasur letrare M. Zeqo e meriton të quhet poligraf.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]