Anastas Janullatos



Anastas JanullatosAnastas Janullatos

Fortlumturia e Tij, Kryeepiskopi Anastas, i biri i Jerasimit me origjinë nga Qefalonia dhe i Roksanës prej fisit të Maltezëve nga Preveza, ka lindur në Pire më 4 nëntor 1929. Dëftesën e pjekurisë e mori me notën shkëlqyeshëm. Diplomën e Fakultetit Teologjik të Universitetit të Athinës në vitin 1952 e mori përsëri shkëlqyeshëm. Ka kryer studime pasuniversitare në fetarologji, entologji, misionarizëm, afrikanologji në Universitetet e Marburgut të Gjermanisë si dhe punë kërkimore në Makarere University College, Kampala nga viti 1965 deri më 1969 me bursë nga Instituti Alexander von Humboldt. U bë Doktor i Fakultetit Teologjik të Athinës në fetarologji në vitin 1970. Ka bërë udhëtime mësimore në vende të ndryshme të Afrikës (Kenia, Ugandë, Tanzani, Nigeri, Ganë, Kamerun etj), të Amerikës (Argjentinë, SHBA, Meksikë, Karaibe, Kanada), të Azisë (Indi, Sri Lanka, Persi, Tajlandë, Kore, Japoni, Kinë, Indonezi, Australi). Fortlumturia e Tij zotëron gjuhët frëngjisht, anglisht, gjermanisht, shqip dhe për efekte të punës shkencore latinisht, spanjisht, italisht dhe suhaili. Ka kryer veprimtari të gjerë shkencore, shërbime kishtare sociale, si dhe veprimtari kishtare ndërkombëtare. Veprimtaria shkencore: I caktuar me mandat për mësimdhënien e greqishtes së re dhe të filozofisë në Universitetin e Marburgut në Gjermani nga viti 1966-1969. Për organizimin e Qendrës së Studimeve Ierapostolike në Universitetin e Athinës (1971- 1976). Për organizimin dhe drejtimin e Qendrës Ndërortodokse të kishës greke në Athinë që nga viti 1972 deri më 1975. Profesor i jashtëm i Historisë së Feve në Universitetin e Athinës (1972-1976). Profesor i rregullt prej vitit 1976 e në vazhdim. Drejtor i Sektorit të Fetarologjisë-Sociologjisë të Degës së Pimantikës në Universitetin e Athinës. Dekan i fakultetit teologjik të Universitetit të Athinës (1983- 1986). Shërbime kishtare dhe sociale: Predikues; artikullshkrues në revista; punë spiritualeintelektuale ndër të rinjtë, kryesisht me studentët; përgjegjës studimesh biblike dhe kursesh të kuadrove kishtarë; përgjegjës i të rinjve dhe i studentëve si dhe të veprimtarive misionare në zonat kufitare (1954-1960). U dorëzua dhjak më 1960. Me porosi të Sinodit të Shenjtë të Kishës së Greqisë ka shkruar manualet e katekizmit të shkollave të mesme. Ka dhënë mësime në Kursin e Katekizmës dhe të Dhjakonisë Apostolike (1960-1963). U hirotonis prift dhe fitoi ofiqin arkimandrit në vitin 1964. Zhvilloi veprimtari ierapostolike në Afrikën Lindore në vitin 1964. Gjatë kohës së studimeve të tij në Gjermani u ka shërbyer punëtorëve dhe studentëve të atjeshëm grekë si meshtar. U zgjodh episkop i Andrusës dhe drejtor i përgjithshëm i Dhjakonisë Apostolike të Kishës së Greqisë më 1972. Në dhjetëvjeçarin 1981-1991 u zgjodh Vikar dhe në vazhdim Kryeepiskop i Mitropolisë së Shenjtë të Irinopulit në Afrikën Lindore. Më pas Eksark Patriarkal në Shqipëri për rimëkëmbjen e Kishës sonë Ortodokse. Më 2 gusht 1992 u fronëzua si Kryeepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë.

Eksark Patriarkal në Shqipëri. Në janar të vitit 1991 Patriku Ekumenik Dhimitri dhe Sinodi i Shenjtë zgjodhën si Eksark (të dërguar) të Patriarkanës Ekumenike në Shqipëri, Episkopin e Andrusës Anastasin, i cili në atë kohë shërbente si Vikar në Mitropolinë e Shenjtë të Irinopolit me qendër në Kenia. Misioni i tij ishte që të bisedonte me krerët e qeverisë shqiptare e më pas me klerin dhe popullin ortodoks për ngritjen, rimëkëmbjen dhe riorganizimin e K.O.A.SH-it. Leja e hyrjes në Shqipëri iu dha Eksarkut nga mesi i qershorit 1991. Sapo mbërriti në Shqipëri, më 17 korrik 1991, Eksarku u prit me respekt dhe dashuri nga të krishterët ortodoksë. Me ndihmën e bashkëpunëtorëve të Tij dhe mbështetjen e besimtarëve iu përvesh punës me përkushtim për ringjalljen e K.O.A.SH-it. Më datat një dhe dy gusht 1991 në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë u thirr një Asamble e përgjithshme, në të cilën morën pjesë 15 klerikë dhe 30 laikë, përfaqësues të katër dioqezave të Shqipërisë. Në këtë mbledhje u diskutua gjendja e K.O.A.SH-it, si dhe prespektivat për të ardhmen. Në fund u zgjodh një Këshill i Përgjithshëm kleriko-laik me nëntë përfaqësues. Asambleja zgjodhi si Epitrop të Përgjithshëm të K.O.A.SH-it, të Dërguarin e Patriarkanës (Eksarkun), dhe katër epitropë klerikë e pesë laikë. (Atë Mihal Dako, Atë Kristo Raci, Atë Kozma Qirjo, Atë Gaqo Pjetri, Dhimitër Beduli, Aleko Dhima, Alqi Jani, Sotir Bambuli, Vangjel Capo). Sekretar i Përgjithshëm u zgjodh Aleko Dhima. Gjithashtu filluan të krijohen edhe këshillat kishtarë nëpër qytetet kryesore me popullsi ortodokse të vendit. Këshilli i Përgjithshëm i K.O.A.Sh-it i dërgoi një letër Patrikut Ekumenik Bartholomeut për zgjedhjen e Imzot Anastasit në krye të Kishës sonë. Fronëzimi. Ceremonia e fronëzimit të Fortlumturisë së Tij, Kryeepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë Prof. Dr. Anastasi, u celebrua më 2 gusht 1992 në bazë të marrëveshjes së arritur midis përfaqësisë së Patriarkanës Ekumenike dhe Presidentit të Republikës. Fronëzimi i Eksarkut në Kryeepiskop u krye nga Mitropoliti i Pergjit Evangjelos dhe Mitropoliti i Filadelfias Melitoni në Katedralen e Ungjillëzimit në Tiranë, në prani të qindra besimtarëve që kishin mbushur kishën, të mjaft klerikëve dhe episkopëve të ftuar nga vende të tjera. Ceremonia e fronëzimit u zhvillua në mes të një entuziazmi të papërshkrueshëm të të pranishmëve. Në emër të bashkësisë ortodokse përshëndeti teologu Dhimitër Beduli. Më pas përshëndeti Fortlumturia e Tij Anastasi, i cili u përkthye nga Vangjel Dule. Në vijim u lexua dekreti patriarkal, me anën e të cilit Mitropoliti i Andrusës Anastasi u shpall Kryeepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë.

Më 18 korrik 1998 u formua Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë i përbërë nga: Fortlumturia e Tij Kryeepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, Kryetar; Hirësia e Tij Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Ignati, Hirësia e Tij Mitropoliti i Korçës, Joani, dhe Hirësia e Tij Episkop i Apollonisë, Kozmai, anëtar. Kryesekretar i Sinodit të Shenjtë është Protopresviteri Jani Trebicka. Gjithashtu në mbledhjen e Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të datës 11 nëntor 2006, u vendos që Sinodi i Shenjtë të plotësohet duke dorëzuar në gradën episkopale tre arkimandritë të Kishës sonë. Pas dorëzimit Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë përbëhet nga: †Kryepiskopi Anastas, Kryetar, Mitropoliti i Beratit Ignati, Mitropoliti i Korçës Joani, Mitropoliti i Gjirokastrës Dhimitri, Episkopi i Apolonisë Nikolla, Episkopi i Krujës Andoni, Kryesekretar i Përgjithshëm është Protopresviter Jani Trebicka.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Anastas Janullatos, Kisha Orthodhokse në territorin e Shqipërisë së sotme, Selanik, 1996.
2-Anastas Janullatos, Ringritja kanonike e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (1991- 2000), Kumtesë e mbajtur në Simpoziumin 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri, Tiranë 2000.
3-Kërkesë e KP të K.O.A.Sh për zgjedhjen e Imzot Anastasit në krye të Kishës sonë, Ngjallja, tetor 1992, faqe 2.
4-Patriarkana Ekumenike zgjedh me vota unanime Imzot Anastasin Kryepiskop të Tiranë dhe gjithë Shqipërisë, Ngjallja, tetor 1992, faqe 3.
5-Teodor Papapavli, E vërteta rreth fronizimit të Kryepiskopit Anastas, Rilindja Demokratike, 16 shtator 1992.
6-Thoma Dhima, U zhvillua ceremonia e fronëzimit të Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë Imzot Anastasit, Ngjallja, tetor 1992, faqe 5. Autoqefalia e K.O.A.sh-it. Merita më e madhe e Fortlumturisë së Tij, Kryeepiskopit Anastas është Autoqefalia e K.O.A.sh-it, e cila u arrit pas bisedimeve të gjata ndërmjet përfaqësuesve të Patriarkanës Ekumenike, të Kishës së Shqipërisë dhe autoriteteve shqiptare.

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]