Gonxhe Bojaxhi

Gonxhe Bojaxhi

Gonxhe Bojaxhi (1910-1997) ka lindur më 27 gusht të vitit 1910 në Shkup. Ajo ishte vajza më e vogël e Nikollë Bojaxhiut, i cili ishte tregtar i kamun i lëndëve të ndërtimit. Nikollë Bojaxhiu shquhej për ndjenja patriotike, prandaj jugosllavët e helmuan. Kjo ngjarje e hidhur për jetën e Nënë Terezës ka ndodhur në vitin 1919. Në atë kohë Gonxhja ishte në moshën 9-vjeçare. Sipërmarrja e të atit falimentoi dhe nënë Dranja mbeti e shkretë me tre fëmijët. Për të përballuar jetesën Dranja filloi të merrej me tregëti qilimash, qëndismash etj. Në nëntor të vitit 1928 kur ishte në moshën 18-vjeçare, Gonxhja hyri në kongregacionin “Motrat e Loretos” në Irlandë ku morri emrin Mari Tereza për nder të Shën Terezës. Më 6 janar të vitit 1929 Mari Tereza shkon si misionare në Kalkuta të Indisë. Atje filloi të jepte mësim në kolegjin e vajzave St. Mary derisa në vitin 1944 u emërua drejtoreshë. Më 17 gusht të vitit 1948 ajo veshi për herë të parë sarin e bardhë me anët blu dhe pasi përfundoi një kurs mjekësie pranë Motrave Misionare në Patna, u kthye përsëri në Kalkuta. Aty vizitoi lagjet e varfëra duke ushqyer të uriturit dhe mjekuar të sëmurët. Menjëherë rreth saj filluan të bashkoheshin edhe shumë nga ish nxënëset e kolegjit. Në vitin 1960 motrat e Nënë Terezës qenë të përhapura në të gjithë Indinë. Ndërsa në harkun kohor ndërmjet viteve 1980-1990 Nënë Tereza hapi shtëpi misioni nëpër vendet e kampit socialist duke përfshirë Republikat e ish Bashkimit Sovjetik, Kubë, Shqipëri etj. Për punën bamirëse asaj i janë akorduar shumë çmime, duke filluar që nga Çmimi Indian Padmashri në vitin 1962 dhe deri tek Çmimi Nobel për Paqen në vitin 1979. Në vitin 1997, Nënë Tereza kishte rreth 4000 motra, të cilat kryenin misionin në 610 shtëpi bamirësie në 123 vende të botës. Tërë jetën e saj ia kushtoi të varfërvve dhe njerëzve në nevojë derisa fjeti më 5 shtator të vitit 1997. Pa kaluar as dy vjet nga vdekja e shenjtores, Papa Gjon Pavli II lejoi të fillonte procedura e kanonizimit. Kështu më 20 dhjetor të vitit 2002 u miratua dekreti për mrekullitë e shenjtores. Data e zhvillimit të ceremonisë së beatifikimit të Nënë Terezës u vendos që të ishte 19 tetori i vitit 2003. Ky vendim i Papës Gjon Pali II erdhi menjëherë pas aprovimit nga Kongregacioni i Selisë së Shenjtë për Çështje të Shenjtërimit. Nënë Tereza ka shëruar një grua indiane, e cila quhej Monika Bersa që vuante nga një tumor. Dita e lumturimit të Nënë Terezës përkonte me 25-vjetorin e ngjitjes në fronin e Vatikanit të Papës Gjon Pali II. Në ditën e lumturimit të Nënë Terezës në sheshin e Shën Pjetrit gjendeshin rreth 500 mijë njerëz midis tyre edhe shumë shqiptarë të ardhur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Amerika etj. Kongregacioni i Selisë së Shenjtë për Çështje të Shenjtërimit i përbërë nga Kardinalë me emër ka aprovuar mrekullinë e Nënë Terezës. Në vitin 1990 Nënë Tereza erdhi përsëri në Shqipëri, për të inaguruar kishën katolike. Në këtë eveniment të rëndësishëm nga kisha ortodokse ishte i ftuar epitropi Nasi Hobdari, i cili me ndërmjetësinë e kishtarit katolik Lazër Shahinit arriti që ta takonte dhe e ftoi për një vizitë në kishën ortodokse. Nënë Tereza e pranoi ftesën me kënaqësi, por ishte e pamundur të kaloje në Rrugën e Kavajës, sepse nga kisha katolike deri tek kisha orthodhokse, rruga qe e mbushur plot me njerëz të cilët prisnin të merrnin bekimin nga bamirësja e madhe me origjinë shqiptare. Nënë Tereza u fut në Katedralen e Ungjillëzimit dhe filloi të lutej, më pas u drejtua në hierore ku vendosi disa ikona dhe një statujë të Shën Marisë.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Pandeli Pasko Kuteli,Dëshmi e krezmimit të Nënë Terezës, Shekulli, 5 janar 2004, faqe 11.
2-Me gjak jam shqiptare, por i përkas botës, 55, 26 gusht 2005, faqe 7.
3-Nënë Tereza Shenjtorja shqiptare me fuqi të jashtëzakonshme, Zëri i Popullit, 25 qershor 2003.

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]