MOZAIKU
✤ Gjini e pikturës monumentale dekorative që përfshin veprat e punuara me gurë a me kubikë të vegjël prej qelqi, qeramike ose ndonjë materiali tjetër të qëndrueshëm dhe me ngjyra. Vepra të M. ndeshen në trojet e Shqipërisë që në lashtësi dhe në kohën e vonë antike. Nga gërmimet arkeologjike del veçanërisht e pasur me M. Ultësira bregdetare me qytetet Shkodër, Dyrrah, Apoloni, Onhezm (Sarandë), Butrint, M. më i hershëm është i shek. III-IV p.e.r, dhe është zbuluar në Dyrrah. Është i punuar me gurë zalli (shih: Mozaiku i Durrësit me portretin e një gruaje). Lulëzimin më të madh e ka pasur arti i M. në shekujt e parë të erës së re, kur nga gurët e zallit u kalua në kubikë të prerë prej guri, balte të pjekur, mermeri e qelqi. M. e shek. I janë thjesht ornamentalë, me figura me kubikë të zinj të vendosur mes sfondit të bardhë. Për t’u përmendur është një M. i zbuluar në Durrës (10×4.5 m) me figura të ndryshme gjeometrike dhe skena nga mitologjia detare. M. të kësaj kohe ka edhe në Apoloni e Butrint. Në shek. II-IV M. janë më të shpeshtë, me disa ngjyra dhe me nivel artistik më të lartë. Shquhen për bukurinë dhe për numrin më të madh M. e Apolonisë. Ata gjenden në njërën prej tarracave në anën P., ku shtrihej një lagje e banuar nga klasa sunduese e qytetit. Motivet zbukuruese të M. të dyshemeve janë më të shumtën gjeometrike e floreale. Karakteristikë për disa janë emblemat qendrore ku spikasin motivet mitologjike. Në një emblemë është vizatuar një Nereide mbi delfin dhe përqark saj, brenda gjysmërrathësh, janë përfytyruar hipokampë, kurse në çerek rrathësh e katërkëndësha janë kafshë deti e peshq. Shquhet ndër ta M. me luftën e amazonave (shih.). M. polikromë janë zbuluar edhe në qendra banimi e godina të tjera, madje edhe në godina fshatare-vila. M. e kohës së vonë antike lidhen kryesisht me monumente paleokristiane ose me disa monumente antike të kryera në
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Mozaiku
[cite]