Në zbulim të botëve të kaluara

Në zbulim të botëve të kaluara

Sot, si rezultat i zhvillimit të madh që ka marrë gjeologjia, nuk tingëllon shumë e çuditshme fjala trilobit, dinozaur, pterodaktil, fier gjigant dhe çdo emër tjetër që flitet se ka jetuar në epoka të tjera. Të gjitha njohuritë tona mbi këtë jetë të së kaluarës vijnë nga fosilet dhe nga shkëmbinjtë në të cilët gjenden këto. Fosilet janë udhërrëfyese në studimin e llojeve të bimëve e të kafshëve që do të kenë jetuar në zona të ndryshme në kohën e formimit të fundërrimeve në të cilat gjenden ato tani.
Karakteristikat e veçanta të vetë shkëmbit — qoftë gëlqeror, qoftë argjilor ose ranor — tregojnë nëse fundërrimet vijnë nga depozitimet mbi një fund deti, mbi një moçal, mbi një shkretëtirë ose mbi shtratin e një lumi. Duke i ndërlidhur elementet e ndryshme të grumbulluara, shkencëtari formon panoramën e botës në të kaluarën. Në disa formacione argjilore janë gjetur kocka të brontozaurit, një dinozaur i madh, 20 metra i gjatë; në shtresa të tjera të së njëjtës periudhë janë gjetur mbeturina kafshësh të tjera si pilivesa, brumbuj, peshq dhe zvarranikë me krahë, të njohur si pterosaurë. Mbeturinat e bollshme bimore përfshijnë xunkthe dhe drurë fieri, bimë që lulëzojnë nëpër moçale. Kështu, gjeologët, duke pasur parasysh nocionet e ndryshme, përcaktojnë pamjen e brontozaurit, të kafshëve që jetonin me të dhe mjedisin që i rrethonte. Gjeologu përfytyron, ashtu siç bën Uiliam Smithi, sikur shtresa që i shërben atij si objekt studimi është më e re se gjithë shtresat që ndodhen nën të dhe më e vjetër se gjithë ato që gjenden sipër saj. Rregulli, sipas të cilit shtresat pasojnë njëra-tjetrën, tregon rregullin sipas të cilit shprehen periudha të ndryshme të jetës në të kaluarën. Si rrjedhim, në një shpat të vetëm mund të jenë të regjistruara miliona vjet. Duke shqyrtuar shtresat, nga e fundit e deri tek e para, gjeologu mund të gjejë prova për të sqaruar se si kanë ndryshuar gjatë epokave të paraqitura në vetë shtresat, kafshët, bimët dhe mjediset e tyre. Ja përse nga fosilet e brontozaurit, të gjendura në argjilë, ai mund të nxjerrë si përfundim se moçalet, ku do të ketë jetuar kjo kafshë prehistorike, janë tharë, që klima është bërë më e ftohtë dhe që llojet e vjetra të kafshëve e të bimëve janë zëvendësuar me lloje të reja.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]