NAFTËSJELLËSIT
✤ Pajisjet dhe linjat e tubacioneve që përdoren për grumbullimin, përgatitjen dhe transportin e naftës e të gazokondensatit prej vendburimeve deri te përdoruesit. N. i parë në Shqipëri u ndërtua më 1935 nga Kuçova (sot Q. Stalin) në Vlorë me gjatësi 74 km me diametër 200 mm, i pajisur me katër stacione pompimi, gjatë shtrirjes së tij. Zhvillimi i vrullshëm i nxjerrjes së naftës pas viteve 60 solli rritjen mbi 4 herë ndaj vitit 1938 edhe të rrjetit të N. magistralë, duke lidhur të gjitha vendburimet me një sistem me uzinat e përpunimit të naftës në Ballsh, Fier, Q. Stalin e Cërrik. Veshtullia e lartë e naftave të vendit ka kushtëzuar përdorimin e metodave termike për transportin e saj. Është fituar përvojë e mirë për projektimin, ndërtimin e shfrytëzimin e N., për të siguruar një shpërndarje sa më të mirë të naftës dhe të produkteve të saj.
(V.V.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Naftësjellësit
[cite]