NDËRTIMET SPORTIVE


NDËRTIMET SPORTIVE
✤ Ndërtime në të cilat zhvillohen dhe soditen veprimtari të ndryshme sportive e fizkulturore, zakonisht me vende për shikuesit. Mund të jenë të pambuluara ose të mbuluara (stadiume, fusha sportive, pishina, pallate sporti, palestra etj.). Nga e kaluara Shqipëria trashëgoi kryesisht fusha sportive të pambuluara dhe një numër shumë të vogël palestrash (shih) të mbyllura. Sot N.S. projektohen e ndërtohen duke pasur parasysh kërkesat sipas llojeve të sportit që zhvillohen në to, në bazë normash të përcaktuara për sipërfaqet, lartësitë dhe materialet që duhet të përdoren. Ndër N.S. më të mira përmenden: stadiumet në Tiranë, Durrës, Korçë etj., pallatet e sportit në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë e Elbasan etj.; pishinat në Durrës, Korçë, Lushnje etj.; poligonet e qitjes në Tiranë, Berat etj. Pothuajse në të gjitha qytetet janë ndërtuar e ndërtohen komplekse N.S., në të cilat bëjnë pjesë: stadiume (shih), fusha stërvitore, pista për atletikë, pishina, pallate sporti, poligone qitjeje etj.

(Kl.K.—Fr.L.—Il.F.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Ndërtimet Sportive


[cite]